LAJME SHKURT/ Tërbuni me drejtor sportiv të ri, lëvizje te Albpetroli. Ja situata te klubet e Kategorisë së Dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2021 | 21:51

LAJME SHKURT/ Tërbuni me drejtor sportiv të ri, lëvizje te Albpetroli. Ja situata te klubet e Kategorisë së Dytë

Lajme shkurt nga Kategoria e Dytë:

kategoria_dyte_cover

TËRBUNI

Gjoni kthehet në Pukë, emërohet drejtor sportiv

Viktor Gjoni rikthehet në Pukë. Trajneri i mirënjohur do të ketë tashmë një tjetër post te Tërbuni, atë të drejtorit sportiv. Skuadra po vazhdon përgatitjet me ritëm të lartë, duke shfrytëzuar maksimalisht edhe shtyrjen e kampionatit. Kapiteni Mikel Metani mendon se skuadra është në rrugën e duhur, ndërsa për gazetën shprehet: “Janë afruar Baholli dhe Gjoka, e megjithatë të tjerë pritet të firmosin. Shpresoj shumë që me përforcimet e bëra ekipi të bëjë më mirë dhe të ngjisë shkallët e klasifikimit. Unë kam shumë besim se trajneri Dalipi do të na udhëheqë drejt objektivit”. DITMIR PEMA

ALBPETROLI

Largohet Viktor Gjyla, kohë provash në Patos

Viktor Gjyla largohet nga Patosi. Mesfushori ka shpallur “divorcin” me Albpetrolin dhe për pjesën e mbetur të këtij sezoni nuk do të jetë nën urdhrat e Llazar Dushit. Nuk dihet nëse 38-vjeçari do të gjejë tjetër ekip për të vijuar karrierën apo do ta mbyllë këtu me futbollin e luajtur. Gjithsesi, ditët e ardhshme do të zbulojnë më shumë për të. Në kampin patosarak vazhdon puna për të përforcuar ekipin në këtë merkato dimri. Veç lushnjarit Hila, po vëzhgohen disa futbollistë nga grup-moshat e Apolonisë. Momentalisht ata i janë nënshtruar provës dhe vetëm stafi teknik do të vendosë për ta. LUIS FEJZULLAH

NAFTËTARI

Test me Tomorin, Gega: Shtyrja na shkon për shtat

Në mungesë të ndeshjeve zyrtare, kuçovarët hidhen në kërkim të miqësoreve. Ata ia kanë dalë të bindin Tomorin dhe takimi do të luhet në shtëpinë e beratasve. Naftëtari kishte planifikuar më herët një përballje me Lushnjën, por që u anulua pas vendimit të FSHF-së. Kapiteni Saimir Gega beson në një paraqitje pozitive të ekipit në pjesën e mbetur të kampionatit, ndërsa për gazetën thotë: “Ishim përgatitur për rifillimin e kampionatit, por tani duhet të shfrytëzojmë në maksimum shtyrjen e tij. Objektiv kryesor yni mbetet ngjitja dhe do të bëjmë çmos që të kthehemi shpejt të parët”. ARBEN ÇEPANI

GRAMSHI

Toçila: Disa ditë më shumë na bëjnë punë

Gramshi ishte gati për të rinisur kampionatin, por Leonard Toçila i gëzohet shtyrjes. Trajneri mendon se skuadra do t’i shfrytëzojë maksimalisht këto ditë për të korrigjuar ndonjë defekt të hasur gjatë kësaj kohe. “Disa ditë më shumë nuk janë kurrsesi keq. Ne ishim gati për të sfiduar Shkumbinin, gjithsesi shtyrja nuk është e dëmshme. Kundërshtari ka një skuadër realisht të fortë, ndaj duhet të jemi më shumë se të përgatitur për ta përballuar. Nuk duhet ta diskutojmë fitoren në javën e 9-të, pasi në shtëpi e kemi të ndaluar të gabojmë. Grupi i futbollistëve do të jetë i plotë dhe gëzon formë të mirë”, tha tekniku i të kuqve. MARIGLEN MIRAKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"