LAJME SHKURT| Kategoria e Dytë/ Tërbuni bën dy afrime, ja situata te 6 skuadrat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 8, 2021 | 21:50

LAJME SHKURT| Kategoria e Dytë/ Tërbuni bën dy afrime, ja situata te 6 skuadrat

LAJME SHKURT NGA KATEGORIA E DYTË: 

kategoria_dyte_cover

 

TËRBUNI

Tërbuni nis merkaton, afron mesfushorët Tedi Baholli dhe Samet Gjoka. I larguari i vetëm është portieri Jetmir Basha, ndaj klubi po kërkon zëvendësuesin e tij. Disa lojtarë po u nënshtrohen edhe provave, por stafi teknik nuk do që të nxitohet. Drejtuesit kanë hedhur sytë edhe nga akademia e Vllaznisë, prej së cilës mendojnë të huazojnë ndonjë element. Edmond Dalipi ka menduar që sot në mesditë të zhvillojë një miqësore në Pezë me Erzenin për të parë gjendjen e grupit. DITMIR PEMA

SKRAPARI

Jurgen Korkuta “skanon” Skraparin. Mungojnë pikët, por qendërmbrojtësi nuk demoralizohet. Për “Panorama Sport” ai paralajmëron se kthesa nuk do të vonojë. “Mungojnë pikët, por mendoj se kemi merituar më shumë. Kemi zhvilluar disa ndeshje të mira, megjithatë fati dhe gjykimi na kanë dëmtuar. Gjithsesi, shpresojmë të përmirësohemi në vazhdim. Pavarësisht pozicionit aktual, nuk duhet të demoralizohemi. Unë besoj shumë se do të bëjmë kthesën e shumëpritur”, përfundon Korkuta. ARBEN ÇEPANI

NAFTËTARI

Naftëtari po vijon përgatitjet për vitin 2021. Kampionati rifillon më 13 janar, ndaj koha nuk premton. Në një kohë që skuadra është e përqendruar te minifaza, drejtuesit po insistojnë për të bërë goditjet e duhura në merkato. Ata do të tentojnë të afrojnë të paktën tre lojtarë për të përforcuar organikën, ndërkohë që nga grupi që mbylli pjesën e parë të sezonit nuk do të ketë rrjedhje. Kuçovarët kanë si objektiv ngjitjen në Kategorinë e Parë dhe besojnë shumë se do t’ia dalin. ARBEN ÇEPANI

GRAMSHI

Gramshi nuk do të ketë largime. Grupi që e mbylli pjesën e parë të sezonit vazhdon përgatitjet intensive në këtë javë të parë të vitit, ndërsa klubi po punon për të bërë disa përforcime cilësore në merkato. Pritet rikthimi i gramshakut Ledio Koçi, por nuk do të jetë i vetmi. Negociata ka me disa elementë, që do ta pasurojnë edhe më shumë organikën e drejtuar nga Leonard Toçila. Objektivi mbetet ngjitja dhe gramshakët po luftojnë për ta bërë këtë mision realitet. MARIGLEN MIRAKA

GRAMOZI

Drejtuesit kolonjarë po mendojnë për përforcimin e ekipit në këtë merkato dimri. Këtë e konfirmon vetë trajneri Ilir Qirjako, ndërsa flet për “Panorama Sport”: “Në këto ditë të para kemi pasur shumë futbollistë që i janë nënshtruar provës. Do të përzgjedhim me kujdes të duhurit për të forcuar organikën. Mendojmë që të afrojmë disa futbollistë nga Korça, ndërkohë që në provë do të jenë dhe tre brazilianë. Njëri prej këtyre të fundit luan në mesfushë”. KOÇO LILO

DEVOLLI

Devolli i është rikthyer stërvitjes më 4 janar dhe grupi është parë i reduktuar. Ata janë larguar, pasi nuk kanë gjetur hapësira gjatë fazës së parë. Kështu, pjesë e ekipit nuk do të jenë më Trëndafili, Peposhi, Ferhati, Seida dhe japonezi Jahato. Ndërkohë, në kamp kanë menduar për të afruar 3-4 futbollistë cilësorë që të bëjnë diferencën. Edhe pse devollinjtë janë të pozicionuar në vendin e 4-t, nuk do të heqin dorë nga objektivi. Tri pikë më pak nga kreu duken të arritshme. THANAS GJATA

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"