LAJME SHKURT| Kategoria e Dytë/ Sopoti përforcim nga Gjermania, Devolli dhe Gramozi gati për derbin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2020 | 22:46

LAJME SHKURT| Kategoria e Dytë/ Sopoti përforcim nga Gjermania, Devolli dhe Gramozi gati për derbin

LAJME SHKURT NGA KATEGORIA E DYTË: 

kategoria_dyte_cover

SOPOTI

Pavarësisht se merkatoja është mbyllur dhe sezoni ka nisur, librazhdasit kanë tentuar një afrim. Megjithatë, gjithçka ka dështuar. Derisa ka kaluar çdo afat për federimet, ka qenë e pamundur që të bëhet regjistrimi.

Tocka

Bëhet fjalë për Ergys Toçkën, sulmuesin e kthyer nga Gjermania. Lojtari ka dashur që të nisë bashkëpunimin me librazhdasit dhe drejtuesit ishin më shumë se të gatshëm, por gjithçka mbeti në tentativë. Gjithsesi, kjo nuk e pengon që të stërvitet dhe të jetë gati për janarin. LEDION QOSHKU

DEVOLLI

Nga derbi në derbi. Pasi barazuan me Maliqin, tashmë do të tentojnë që të mposhtin Gramozin. Devolli po bëhet gati për 90-minutëshin e së shtunës dhe duket se gjithçka është gati. Ndërprerja e kampionatit i ka ardhur më shumë se përshtat stafit teknik, pasi ka mundur që të korrigjojë ndonjë gabim.

Devolli-Vllaznia

Klubi po mendon që tani për merkaton e janarit dhe prioritet është shtimi i alternativave në të gjitha repartet. Devollinjtë duan që të rikthehen direkt në Kategorinë e Parë, ndaj për këtë do të garojnë. THANAS GJATA

NAFTËTARI

Në Kuçovë nuk duan që të ndalen. Edhe pse transferta me Përmetin llogaritet e vështirë, sulmuesi Vladimir Saraçi është i bindur për fitoren. Beratasi që për dy sezone radhazi luan për ngjyrat e Naftëtarit, për gazetën thotë:

“Përpara kemi një ndeshje të vështirë në transfertë. Kundërshtari ka një ecuri të mirë në dy ndeshjet e para të sezonit dhe pa dyshim ka marrë vlerësimin tonë maksimal. Ne do të hyjmë në fushë vetëm për një rezultat pozitiv. Jemi në pozita kryesuese dhe duam vazhdimësinë”. ARBEN ÇEPANI

GRAMOZI

Gramozi kërkon fitore në derbin e prefekturës. Futbollistët kolonjarë po stërviten intensivisht dhe janë të bindur se nuk do të dalin duarbosh nga përballja me Devollin. Këtë e thotë edhe trajneri Ilir Qirjako:

“Këtë javë luajmë vetëm për fitore. E kemi vlerësuar shumë ndeshjen, pasi luajmë me një ekip pretendent. Meqë ky takim konsiderohet si derbi i prefekturës, kjo e bën edhe më të rëndësishëm. Djemtë do të japin më të mirën në fushë, edhe sepse janë të motivuar edhe nga siguria financiare që kanë”. KOÇO LILO

BUTRINTI

Butrinti po përgatitet me ritëm të lartë për anti-Këlcyrën. Skuadra nuk ka në plan që të falë pikë këtë javë, pasi ka siguruar dy fitore në nisje të Kategorisë së Dytë.

Rikthimi pas një mungese të gjatë në krye të stolit sarandjot i trajnerit Milto Gurma, si dhe merkatoja me “laps në dorë” e drejtuesve ka dhënë efektet e para te sarandjotët. Ruajtja e boshtit dhe afrimet e goditura të portierit Sadik Basha, qendërmbrojtësit Skerdi Matushi dhe njeriut-gol Xhulio Mirani janë çelësi i suksesit. TOMOR SHEHU

DELVINA

Delvina e ka nisur si mos më keq sezonin 2020-2021. Asnjë fitore dhe 4 gola të pësuar dhe 0 të shënuar mjaftojnë për të kuptuar gjendjen e ekipit se në ndeshjen e radhës pritet kthesa. Trajneri Donald Mehmeti pret kthesën me Skraparin, gjë që e thotë për “Panorama Sport”:

“Kemi dy javë pa fitore. Me Skraparin s’na falet të hedhim hap të gabuar. Luajmë në fushën tonë dhe për më tepër kemi ‘uri’ për pikë. Do ta fitojmë patjetër këtë ndeshje, pse jo, edhe me goleadë. Po punojmë fort që nga mbrojtja në sulm”. TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"