LAJME SHKURT| Kategoria e Dytë/ Luzi zyrtarizon dy afrime, lojtari i bashkohet për herë të dytë Tërbunit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2021 | 19:58


LAJME SHKURT| Kategoria e Dytë/ Luzi zyrtarizon dy afrime, lojtari i bashkohet për herë të dytë Tërbunit

Lajme shkurt nga Kategoria e Dytë:

kategoria_dyte_cover

LUZI

Luzi zyrtarizon afrimet e radhës, Viktor Mema dhe Xhuljan Turhani. Lojtarët kanë arritur marrëveshjen me kavajasit për të qenë pjesë e tyre në gjysmën e dytë të sezonit. I pari vjen nga skuadra e Elbasanit dhe luan si mbrojtës, ndërsa i dyti nga Vora dhe është qendërmbrojtës. Pas morën Oltijon Kërnajën në krye të pankinës, drejtuesit po punojnë intensivisht në merkato për të pasuruar organikën. Synimet për këtë edicion janë madhore, ndaj edhe klubi nuk po kursehet. ALDO BUZI

GRAMSHI

Gramshi vijon përgatitjet intensive për fazën e dytë të kampionatit. Në këtë merkato janari, të kuqtë kanë konfirmuar afrimin e portierit Hasanaj dhe mesfushorin Koçi. Drejtuesit po mendojnë edhe për një sulmues me përvojë, që do të përforcojë këtë repart. Largimi i Klaus Zanit ka lënë një boshllëk të madh. Zëvendësuesi i tij po kërkohet me ngulm, për të kompletuar ofensivën. Deri tani nuk ka ndonjë emër konkret, por këto ditë priten zhvillime. MARIGLEN MIRAKA

GRAMOZI

Edhe pse qyteti i Ersekës është mbuluar nga bora, Gramozi nuk e ka ndalur punën. Seancat po zhvillohen rregullisht, ndonëse në kushte të vështira atmosferike. Kolonjarët kanë forcuar ekipin gjatë merkatos së dimrit, duke marrë dy brazilianë që luajnë në mesfushë dhe sulm. Gramozi i ka të siguruara financat për fazën e dytë dhe pritet të bëjë paraqitje të mira. Megjithatë, drejtuesit shprehen se janë në kërkim të dy ose tre lojtarëve të tjerë, deri në fund të janarit. KOÇO LILO

 

TËRBUNI

Tedi Baholli i është bashkuar për të dytën herë Tërbunit. Lojtari është i lumtur për këtë rikthim, ndërsa për gazetën thotë: “Më vjen keq që ekipit tani i duhet të konkurrojë në Kategorinë e Dytë. Shpresoj që të ngjitemi, pasi atje e kemi vendin. Në Pukë gjeta edhe disa nga shokët e mi, me të cilët kam luajtur më parë. Të gjithë bashkë do të luftojmë për ta ngjitur ekipin në vendet e para të klasifikimit. Shtyrja e kampionatit na ndihmoi”. DITMIR PEMA

NAFTËTARI

Naftëtari vazhdon përgatitjet, të alternuara me ndonjë miqësore. Adriatik Kanani vlerëson gjendjen e grupit, ndërsa paralajmëron se viti 2021 do të nisë vrullshëm për ta. “Po shfrytëzojmë shtyrjen e kampionatit për të parë më mirë gjendjen e skuadrës. Do të kërkojmë që të luajmë edhe një tjetër, për t’u konsoliduar më tej. Objektivi ynë i vetëm është të pozicionohemi në ekipet e para. Edhe pse jemi disi të shkëputur nga kreu, nuk dorëzohemi”, tha trajneri. ARBEN ÇEPANI

OSUMI

Osumi ka filluar përgatitjet për Kategorinë e Tretë. Skuadra e Bashkisë së Urës Vajgurore do të konkurrojë në sezonin e tretë radhazi, me shpresën që këtë herë të ngjiten. Këtë e thotë edhe drejtori i akademisë së këtij klubi, Albano Kora: “Po përgatitemi prej ditësh me ekipin e parë dhe jemi në rrugën e duhur. Kemi ndërtuar një ministadium falë mbështetjes së kryebashkiakes. I vetmi objektiv yni është ngjitja në Kategorinë e Dytë”. ARBEN ÇEPANI

PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/