LAJME SHKURT/ Kategoria e Dytë, ja klubet më aktive në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2021 | 22:19

LAJME SHKURT/ Kategoria e Dytë, ja klubet më aktive në merkato

ALBPETROLI

Albpetroli llogarit vetëm fitore me Tepelenën. Llazar Dushi beson se patosarakët do ta nisin mbarë vitin. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri shprehet:

“Jemi gati për të bërë kthesën, pas humbjes që pësuam përballë Devollit në mbyllje të 2020-ës. Albpetroli është një ekip që prodhon lojë, zotëron fushën dhe ka dinamizëm, por gabojnë disi në finalizim. Megjithatë, jemi munduar që të korrigjojmë diçka këto ditë”. LUIS FEJZULLAH

kategoria_dyte_cover

SOPOTI

Sopoti ka ndryshuar ndjeshëm gjatë kësaj merkatoje dhe është gati për të rinisur sezonin. Goditja më e madhe vjen në sulm, ndërsa kanë afruar Vilson Mziun, i cili pjesën e parë të sezonit e mbylli te Vora.

Grupit i është bashkuar edhe përrenjasaku Ermir Llojku, që ka qenë pjesë e ekipit edhe më herët në sezonet e shkuara. Ka pasur edhe largime, ndërsa zyrtarisht është shpallur “divorci” me Igli Harjan, Erxhers Bullarin, Mikel Zogun dhe Mateo Allkjen. LEDION QOSHKU

MALIQI

Maliqi është duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve për javën e 9-të. Pretendimet janë madhore, ndaj as që mendohet blofi kundër Labërisë. Xhuljan Trëndafili, Xhoni Seida dhe Bravald Xhafka i kanë shtuar cilësi grupit, ndaj edhe trajneri Egli Malësia mendon se janë gati: “Kam marrë sinjale të mira nga ekipi. Këtë e treguam edhe në miqësoren me Pogradecin, ku provova edhe afrimet. Ne do të vazhdojmë të pretendojmë ngjitjen. Forca nuk na mungon”. ROMEO XINXIFI

NAFTËTARI

Naftëtari do të udhëtojë në Skrapar këtë mesjavë, për të matur forcat me ekipin vendës. Kërkohen pikët e plota dhe mbrojtësi Julian Haxhiu beson se do t’ia dalin. “Jemi përgatitur me ritëm të lartë këto ditë dhe mendoj se jemi gati për ndeshjen e parë të 2021-shit. Pavarësisht pozicionit që ka kundërshtari, duhet vlerësuar. Shpresojmë ta rifillojmë në mënyrën më të mirë kampionatin”, u shpreh për gazetën lojtari i linjës së djathtë të kuçovarëve. ARBEN ÇEPANI

BUTRINTI

Butrinti ka “goditur” në merkato. Skuadra është përforcuar me mesfushorin Ermir Llojaj dhe sulmuesin Mario Gurma. I pari vjen nga Oriku, ndërsa i dyti ka vendosur që pas një shkëputjeje nga futbolli i luajtur, t’i japë një dorë ekipit të vendlindjes (që drejtohet prej babait të tij) për ngjitjen.

Shtatlarti që ka luajtur në ekipe greke e italiane dhe në qytet cilësohet edhe si Ibrahimoviç, shihet si lojtari që do të bëjë diferencën në këtë kategori. TOMOR SHEHU

SHKUMBINI

Zyrtarizohet afrimi i parë te Shkumbini, firmos Klevis Roshi. Ish-kapiteni i Luzit 2008 është prezantuar pikërisht dje nga klubi. Elbasanasi shton cilësinë në mesfushën e skuadrës së drejtuar nga Lorenc Pashja.

Lojtari 38-vjeçar shihet si vlerë e shtuar, duke parë edhe përvojën e CV-në e tij të pasur në futbollin shqiptar. Bardhekaltrit janë në krye të Grupit A dhe 2021- shin do ta nisin me misionin e njëjtë: ngjitjen në Kategorinë e Parë. FATMIR AHMETI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"