LAJME SHKURT| Kategoria e Dytë/ Afrime, largime dhe stadium i ri. Mësoni lëvizjet e skuadrave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2021 | 22:14

LAJME SHKURT| Kategoria e Dytë/ Afrime, largime dhe stadium i ri. Mësoni lëvizjet e skuadrave

Lajme shkurt nga Kategoria e Dytë:

kategoria_dyte_cover

DELVINA

Delvina vazhdon përgatitjet për ndeshjen e parë të 2021-shit. Nën urdhrat e Donald Mehmetit janë vënë këto ditë dhe tri prurjet e reja. Bëhet fjalë për Fatmir Begën, Kristi Halilajn dhe Enea Memushajn, që vijnë në formë huazimi nga Labëria. Stafi teknik do të ketë më shumë mundësi zgjedhjeje për formacionin për pjesën e dytë të sezonit. Stadiumi “Gjirokastra” me shumë gjasa do të jetë shtëpia e delvinjotëve, pas dënimit të dhënë nga Komisioni i Disiplinës. TOMOR SHEHU

TËRBUNI

Portieri Elson Demaj firmos për Tërbunin. Marrëveshja është zyrtarizuar tashmë, duke u dhënë më shumë garanci pukjanëve për katërkëndorin. Gjithsesi, trajneri Dalipi dhe drejtori Gjoni po vazhdojnë kërkimet për të tjera përforcime. Ekipi do të zhvillojë miqësoren e tretë sot, ndërsa kundërshtar kanë zgjedhur Korabin. Takimi do të luhet në QKS në Kamzë, prej orës 12:00. Më herët janë ndeshur me Erzenin dhe Besëlidhjen dhe kanë barazuar. DITMIR PEMA

ALBPETROLI

Pas Romario Priftit dhe Viktor Gjylës, drejt largimit është edhe Bledi Fejzaj. Mesfushori nuk është parë në stërvitje me Albpetrolin, duke paralajmëruar “divorcin”. Priten të tjera afrime dhe këtë e paralajmëron vetë trajneri Llazar Dushi, i cili për gazetën thotë: “Jam i kënaqur me punën që po bëjmë gjatë kësaj periudhe përgatitore, por edhe me atë që kemi shfaqur në miqësore. Merkato? Mirëpresim çdo lojtar, sigurisht që fillimisht do t’i nënshtrohet testimit”. LUIS FEJZULLAH

GRAMSHI

Portieri Hajdar Miraka dhe mesfushori Xhelson Zogu largohen nga Gramshi. Lajmi konfirmohet prej shefit të klubit, Lulëzim Hasa. I pari ka kaluar te Turbina, ndërsa i dyti ende nuk është sistemuar. Sakaq, mesfushori Elvis Xhelili nuk ka qëndruar në Cërrik. Ai do ta mbyllë sezonin te gramshiotët. Sa u përket afrimeve, javën e ardhshme do të bëhet i ditur ndonjë emër konkret. Sakaq, nesër Gramshi mund të zhvillojë një miqësore me Maliqin në transfertë. MARIGLEN MIRAKA

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"