LAJME SHKURT/ Gramozi drejt kompletimit, dy brazilianët bashkohen me kolonjarët; Albpetroli merkato te Labëria

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2021 | 14:55

LAJME SHKURT/ Gramozi drejt kompletimit, dy brazilianët bashkohen me kolonjarët; Albpetroli merkato te Labëria

LAJMET SHKURT NGA KATEGORIA E DYTË: 

kategoria_dyte_cover

GRAMSHI

Rikthimi i Luan Metani në stol ka bërë që Gramshi të jetë më aktiv në merkato. Të kuqtë kanë siguruar portierin elbasanas Hasfatija, që do ta blindojë katërkëndorin. Në mbrojtje ka ardhur qendërmbrojtësi Mema, ndërsa në mesfushë Balliu. Klubi ka piketuar edhe të tjera afrime. Pretendimet e skuadrës për këtë sezon janë të mëdha, ndërsa do të tentojnë ngjitjen në Kategorinë e Parë. Të mërkurën është programuar një tjetër miqësore, këtë herë me AF Elbasanin. MARIGLEN MIRAKA

GRAMOZI

Gramozi është drejt kompletimit, e megjithatë merkatoja mbetet ende e hapur. Ditët e fundit kolonjarëve u janë bashkuar edhe dy lojtarë brazilianë. Qendërmbrojtësi Paulo Vitor da Silva dhe mesfushori Zhoao Vitor de Souza. Te kolonjarët është rikthyer edhe Geri Gjoni, që sezonin e kaluar luajti për Bilishtin. Qendërmbrojtësi për gazetën thotë: “Unë kam bërë zgjedhjen time, dua të jem pjesë e Gramozit. Po punoj për të arritur formën dhe kthehem si titullar”. KOÇO LILO

VELEÇIKU

Veleçiku prej së hënës ka nisur fazën përgatitore. Edhe pse të vonuar, koplikasit mendojnë se do të jenë gati për Kategorinë e Dytë. I këtij mendimi është edhe trajneri Ardi Rrustemaj, që për “Panorama Sport” deklaron: “Kemi nisur stërvitjen me ritëm dhe do shfrytëzojmë çdo ditë që kemi në dispozicion për të ndërtuar një ekip solid. Veç grupit të vjetshëm, presim edhe përforcime. Merkaton me siguri do ta bëjmë në Shkodër, nga akademia Vllaznia ose ekipi i parë”. BASHKIM RAMEKAJ

DEVOLLI

Devolli është i gjithi i përqendruar te përgatitjet. Nuk ka ende një datë për nisjen e Kategorisë së Dytë, megjithatë trajneri nuk e ka ulur ritmin. veç ngarkesave, po zhvillohen edhe miqësore. Të fundit e zhvilluan brenda grupit, ndërsa të mërkurën kanë menduar që të matin forcat me Maliqin. Kjo ndeshje do t’i shërbejë stafit teknik për të krijuar një ide më të qartë për gjendjen e lojtarëve dhe sidomos atyre që po i nënshtrohen provës prej disa ditësh. THANAS GJATA

ALBPETROLI

Stërvitje dhe afrime, tek Albpetroli i kanë idetë të qarta për sezonin 2021-2022. Në ekip është afruar portieri Renaldo Baba dhe Xhoni Asimetaj. Ndërkohë, është zyrtarizuar edhe afrimi më i ri, ai i sulmuesit Kjesion Kumanaku. Sezonin që lamë pas, ai ishte pjesë e Labërisë. Nga vlonjatët vjen edhe Redjon Kardhashi, që gjithashtu luan në ofensivë. Sakaq, nesër është programuar edhe një miqësore. Trajneri Eldison Kapo do ta vëzhgojë ekipin përballë Orikut. LUIS FEJZULLAH

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"