LAJME SHKURT| Kategoria e Dytë/ Skuadrat vazhdojnë me përforcimet, ja lëvizjet e fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2021 | 19:20

LAJME SHKURT| Kategoria e Dytë/ Skuadrat vazhdojnë me përforcimet, ja lëvizjet e fundit

Lajme shkurt nga Kategoria e Dytë:

kategoria_e_dyte_nr-470x237

GRAMSHI

Gramshi nuk po i ndal përgatitjet dimërore, duke shfrytëzuar edhe shtyrjen e kampionatit. Drejtuesit vazhdojnë të jenë aktivë në merkato, për të përforcuar sa më shumë skuadrën. Pas ardhjes së Hasanajt dhe Koçit, në ekip ka mbërritur një tjetër afrim cilësor. Bëhet fjalë për sulmuesin 20-vjeçar, nigerianin Samuel Solomon. Ky i fundit është vëllai i lojtarit të Partizanit (Theofilus Solomon). Ardhja e afrikanit pritet të plotësojë boshllëkun e Klaus Zanit. MARIGLEN MIRAKA

TËRBUNI

Tërbuni nuk do të ndalet në merkato. Është administratori Kristian Marku që paralajmëron të tjera përforcime, ndërsa për gazetën thotë: “Synojmë rikthimin në Kategorinë e Parë, ndaj do ndërtojmë një ekip cilësor. Së bashku me trajnerin Dalipi dhe drejtorin Gjoni, po punojmë intensivisht në këtë merkato. Jemi në bisedime me ish-futbollistin Senad Lekaj dhe presim përgjigjen e tij. Veç tij mendojmë të marrim edhe një lojtar që ka dalë nga akademia e Vllaznisë”. DITMIR PEMA

LUZI 2008

Luzi “godet” në merkato. Pas Abobakar, Isarajt, Turhanit, Bakajt, Memës e plot të tjerë, kanë firmosur edhe me dy lojtarë që vijnë nga Kategoria e Parë. Patrik Punavija dhe Imer Zuna janë vënë zyrtarisht nën urdhrat e stafit teknik. Të dy futbollistët e ardhur nga Burreli luajnë në mesfushë, duke e blinduar këtë repart. Zyrtarisht ata tani janë pjesë e Luzit 2008. Forcimi i reparteve do të ndihmojë në realizimin e objektivit, që është ngjitja. ALDO BUZI

BUTRINTI

Butrinti vazhdon përgatitjet intensive. Duke shfrytëzuar shtyrjen e radhës të kampionatit, Milto Gruma po mundohet që të kolaudojë grupin e të jenë gati për javën e 9-të të Kategorisë së Dytë. Synohet ngjitja, ndaj gabimet janë të ndalura për pjesën e dytë të sezonit. Grupi është përforcuar ndjeshëm në këtë merkato dimri dhe pritshmëritë janë të mëdha. Në Sarandë të gjithë besojnë te kthesa, pas asaj humbjeje që pësuan me Maliqin në mbyllje të 2020-ës. TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"