Lajm i mirë te Partizani para ndeshjes me Laçin, Sormani merr përgjigje pozitive nga lojtari i huaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2020 | 12:30

Lajm i mirë te Partizani para ndeshjes me Laçin, Sormani merr përgjigje pozitive nga lojtari i huaj

Deian Boldor qetëson Partizanin. U bë e dyta ditë që mbrojtësi po merr ngarkesa dhe po stërvitet normalisht me grupin, duke dhënë garanci për javën e 31-të. Rumuni pritet që të jetë në fushë kundër Laçit dhe ky fakt i jep frymëmarrje Adolfo Sormanit për mbrojtjen. Kujtojmë se ai u dëmtua në Vlorë dhe për në ditët e para të javës bëri vetëm ushtime i veçuar për të testuar gjendjen e kaviljes. E megjithatë, duket se ky problem i përket të shkuarës. Dhe nëse gjithçka shkon mirë, atëherë pritet që 25-vjeçari të luajë në krah të Eneo Bitrit.
ivan boldor
Gjithsesi, formacioni nuk është fiksuar ende. Disa prova janë bërë, por akoma nuk mund të thuhet me siguri si do ta sfidojnë Laçin. Por, mungesat janë të pashmangshme. “Out” mbeten Egzon Belica me Esat Malën, të dëmtuar. Ata janë duke kryer vetëm përgatitje të diferencuar, ndaj do të jetë e pamundur që të rikuperohen deri nesër. “Demat” janë stërvitur edhe dje që pa gdhirë, për të shmangur temperaturat e larta. Stafi teknik është shfaqur tejet kërkues, por në të njëjtën kohë është munduar që ta kthejë këtë seancë në argëtim.

Një formë kjo për të çtensionuar disi gjendjen, para një 90-minutëshi kaq delikat. Do të përballen me kurbinasit, në një ndeshje që vendos jo pak për zonën “Euro”. Mund ta themi pa frikë se të kuqtë luajnë shansin e fundit. Vetëm me një fitore do të kishin ende shpresa për këtë objektiv, ndërsa dihet që bardhezinjtë e drejtuar nga Armando Cungu janë aktualisht 5 pikë para.

Nëse ia dalin nesër në “Air Albania”, atëherë kryeqytetasit do e shkurtonin diferencën me 2 pikë dhe mbi të gjitha do të ruanin një bilanc më pozitiv në përballjet direkte. Në tri faza të zhvilluara deri më tani, ata e kanë mposhtur dy herë Laçin dhe humbur një tjetër. Nëse do humbisnin, jo vetëm do të shkonin – 8 nga vendi i tretë, por edhe do u jepnin mundësi kurbinasve që t’i barazonin në ndeshjet direkte. Çdo rezultat tjetër, veç trepikëshit, do t’u prishte ndjeshëm punë të kuqve dhe sidomos kur dihet që kalendari favorizon Laçin. Këta të fundit do të luajnë radhazi në shtëpi, me Flamurtarin dhe Luftëtarin, ekipe që kanë rënë matematikisht nga kategoria. Vetë Partizani e ka më “malore”, pasi do të ndeshet në javën e 32-të dhe 33-të me Bylisin dhe Tiranën.

ADELA MERKO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"