Lajm i mirë për klubin e Kategorisë së Parë, tashmë do sponsorizohet nga dy kompani italiane

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2020 | 15:34

Lajm i mirë për klubin e Kategorisë së Parë, tashmë do sponsorizohet nga dy kompani italiane

Egnatia bëhet zyrtarisht me pronarë të rinj, që janë dy kompani italiane. Rrogozhinasit luajnë sot ndeshjen e fundit të kampionatit me Burrelin, por pak rëndësi ka, sepse gjithë vëmendjen e ka marrë dje vendimi i Këshillit Bashkiak për kalimin e skuadrës në duart e sponsorëve. Pas një mbledhjeje që zgjati më shumë se dy orë dhe në rend të ditës ishte edhe Egnatia, është vendosur unanimisht nga pjesëtarët e Këshillit Bashkiak që skuadra e futbollit t’u kalojë në administrim dy kompanive italiane.
egnatia

Bëhet fjalë për një marrëveshje bashkëpronësie mes Bashkisë së Rrogozhinës dhe dy kompanive. Bashkia ka tashmë 25% të aksioneve, kurse dy kompanitë italiane nga 37.5% secila dhe të dyja përbëjnë 75% të aksioneve. “Foglia engineering s.r.l” dhe “DEMROZI COSTRUZIONI SRL” janë dy kompanitë që tashmë kanë marrë në dorë fatet e futbollit në Rrogozhinë dhe që pritet ta ngrenë këtë skuadër në nivele të larta.
EO8rmBTWoAE4hZd
“Është një lajm i madh për Egnatian dhe të ardhmen e saj, është një ndryshim shumë i rëndësishëm”, tha për “Panorama Sport” administratori i klubit rrogozhinas, Olsi Dranga. Gjatë ditëve në vijim pritet të mësohen më shumë detaje në lidhje me ndryshimet që pritet të prekin klubin dhe projektin e sezonit të ri. Diskutimet mes palëve në fakt kishin nisur prej muajsh, por vetëm dje është bërë i mundur realizimi i bashkëpunimit në rrugë zyrtare.
egnatia
Lajmi është përhapur me shpejtësi në qytetin e Rrogozhinës dhe përpara ndërtesës së bashkisë u pa një prani e madhe e njerëzve të sportit. Tashmë të gjithë presin të shohin një Egnatia ndryshe, që të synojë majat e futbollit në vend. Javë më parë “Panorama Sport” bënte me dije se në planet e Egnatias për sezonin e ri është trajneri i njohur, Gugash Magani, i cili ndoqi nga afër ndeshjen me Dinamon në kryeqytet.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"