Laçi tenton të blindojë sulmin, pranë akordit me futbollistin shkodran

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2020 | 10:15

Laçi tenton të blindojë sulmin, pranë akordit me futbollistin shkodran

Laçi tenton që të rrëmbejë Uendi Vecajn. Vetëm një ditë pasi shkodrani shpalli “divorcin” me Teutën, kurbinasit kanë nisur bisedimet. Klubi ka nxituar, pasi me anësorin po tenton që të blindojë sulmin. Dy ditë më parë siguruan shërbimet e Bedri Grecës, ndërsa tani duan 22-vjeçarin. 

vecaj teuta

Trajneri i bardhezinjve i njeh mirë cilësitë e këtij lojtari, pasi e ka drejtuar gjatë kohës që ishte te Vllaznia. Si për ironi të fatit, Vecaj doli nga planet e një shkodrani (Edi Martinit) dhe mund të gjejë strehë te një tjetër shkodran (Armando Cungu). Negociatat mes tij dhe Laçit janë në rrugën e duhur dhe mund të thuhet që akordi nuk do të vonojë.

Në fakt, vetë sulmuesi e pati shprehur për gazetën një ditë më parë se do të mbetet pjesë e Kategorisë Superiore. Tashmë i vetmi “mister” është se ku do të luajë, pasi në lojë për të janë edhe të tjera ekipe. Ai është tipik sulmues i djathtë, e megjithatë fare mirë mund të shfrytëzohet edhe majtas apo si sulmues i dytë.

Goli i Uendi Vecajt

Në Durrës nuk pati shumë hapësira, ndaj tashmë do të tentojë që të zgjedhë një skuadër ku edhe aktivizimin të mos e diskutojë. Kujtojmë se në 17 javë, ai ka luajtur vetëm 561 minuta nga 12 ndeshje.

Bardhezinjtë duan ta blindojnë një herë e mirë ofensivën dhe duhet thënë që gjatë kësaj minifaze dimërore kanë çeduar me golat. Në tri miqësore të zhvilluara deri më tani, kanë mundur vetëm Apoloninë 1-2 me rrjeta të Nuabuezes dhe Xhixhës, ndërsa janë mundur 1-0 nga Iliria dhe 2-0 prej Besëlidhjes.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"