Laçi “sulmon” Kupën e tretë, Mezani: Më e vështirë nëse nuk do kishim siguruar Europën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2018 | 11:59

Laçi “sulmon” Kupën e tretë, Mezani: Më e vështirë nëse nuk do kishim siguruar Europën

Laçi sulmon Kupën e tretë në histori. Skënderbeu mund të duket një kundërshtar i madh për kurbinasit, por tani që të besuarit e Gentian Mezanit kanë siguruar Europën përmes kampionatit, do të luajnë pa presion, duke tentuar gjithçka për gjithçka ndaj korçarëve favoritë. Bardhezinjtë vijnë me petkun e fitimit të dy Kupave të Shqipërisë, ndërsa sot do të kërkojnë të bëjnë tripletë.

laci

Krahasimi midis kësaj skuadre dhe atyre që fituan dy kupa në vitet 2013 dhe 2015 është pak i vështirë të bëhet, për faktin se aktualisht Laçi ka një pamje krejt tjetër dhe i vetmi që ka mbetur nga finalet e fituara ndaj Bylisit dhe Kukësit është mbrojtësi “veteran”, Taulant Sefgjinaj.

Kjo skuadër është totalisht me emra të rinj dhe që premtojnë shumë, për më tepër që kanë tërhequr vëmendjen edhe të klubeve të huaja, veçanërisht mesfushorët Myrto Uzuni, Sherif Kallaku dhe Fjoart Jonuzi. Finalja e sotme është mundësia e artë për një brez të talentuar lojtarësh, që sigurisht do të ndiqen edhe nga shumë menaxherë nga shkallët e “Elbasan Arenës”.

MEZANI

Për trajnerin vlonjat të Laçit, Gentian Mezani, kjo është hera e parë që diskuton një finale të Kupës së Shqipërisë. Në bisedën për mediat para ndeshjes, Mezani është shprehur optimist. “Është ndeshje e vështirë, pasi luajmë me Skënderbeun, por gjithsesi jemi të qetë. Do të ishte më e vështirë, nëse do kishim presionin e kualifikimit për në Europë. Të dyja skuadrat kanë të njëjtën mundësi për të fituar.

mezani

Është një ndeshje pa presion, por vetëm me emocionet e një finaleje dhe shpresoj ta fitojë më i miri. Në këtë pikë që jemi, mundësitë janë 50 me 50. Ne kemi treguar që jemi skuadër që në objektivat që kemi pasur, kemi bërë shumë mirë dhe i kemi vlerësuar maksimalisht”, ka thënë fillimisht Mezani, i cili është krenar që skuadra ka siguruar Europën.

“Jam i lumtur, pasi kemi arritur objektivin nga kampionati. Jemi rritur së bashku me këta çuna dhe shpresoj të luajmë edhe vitin tjetër kështu”, theksoi Mezani, që ndihet me fat që drejtuesit e Laçit kanë besuar te puna e tij. “Jam ndër trajnerët më të ri në Superiore. Vjet kam qenë i Flamurtarit, por nuk kam pasur besim atje, ndërsa Laska më ka dhënë besim. Dua të fitoj këtë kupë”, përfundoi trajneri vlonjat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"