Laçi, Starova i beson formacionit fitues në Vlorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2019 | 21:55

Laçi, Starova i beson formacionit fitues në Vlorë

Fitorja me Partizanin kampion në fuqi ka rikthyer qetësinë te Laçi. Presioni para ndeshjes me të kuqtë ishte i madh, pasi duheshin pikët me çdo kusht dhe lojërat e mira nuk mund të mjaftonin.

sulejman-starova

Kjo javë përgatitore ka qenë një nga më të qetat për stafin teknik dhe grupin e lojtarëve. Fitorja e parë ka ardhur në momentin e duhur, ndërkohë që edhe lojtarët po kapin formën maksimale. Në stërvitjet e ditëve të fundit, trajneri Sulejman Starova është fokusuar më tepër tek ana taktike.

Stafi kurbinas i ka ndjekur më parë ndeshjet e fundit që kundërshtari i radhës, Flamurtari, luajti për kampionat në Gjirokastër, ku humbi 2-1. Nga ajo që është parë në seancat e zhvilluara në Laç, me sa duket Starova nuk do të bëjë asnjë ndryshim nga formacioni që hodhi në fushë kundër Partizanit.

Për “Bobin” formacioni fitues nuk ndryshohet dhe vetëm ndonjë surprizë e pakëndshme në ditën e sotme mund të sjellë lëvizje titullarësh. Gjithsesi, në Vlorë do të luhet me të njëjtët lojtarë që mposhtën Partizanin, duke nisur nga porta me moldavin Stazhilla, për të vazhduar në mbrojtje me Fangajn në të djathtë, Gjonin dhe Ignjatoviç në qendër, si dhe Domgjonin në të majtë.

Në mesfushë do të luajnë Deliu, Shehu dhe Lushkja, ndërsa braziliani Teko dhe Xhixha do të ndihmojnë në sulm golashënuesin Kirian Nuabueze. Praktikisht një rreshtim 4-3-3, por që përshtatët më së miri edhe 4-1- 4-1 apo 4-2-3-1. Starova kërkon ekuilibër në fushë, ndërkohë që në Vlorë tentohet pa dyshim fitorja e dytë radhazi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"