Laçi si trampolinë, një tjetër futbollist i kurbinasve në Kroaci

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2018 | 21:49

Laçi si trampolinë, një tjetër futbollist i kurbinasve në Kroaci

Një tjetër futbollist i Laçit përfundon në Kroaci. Pas Myrto Uzunit që u shit te Dinamo e Zagrebit për 350 mijë euro, së fundmi ka qenë radha e Indrit Prodanit që të transferohet në kampionatin kroat, për këtë herë te Hrv Dragovoljac, skuadër që militon “Druga Liga”. Mbrojtësi i linjës së majtë ka nënshkruar së fundi me këtë ekip, megjithatë sikundër raportohet prej burime pranë lojtarit, që sezonin e ardhshëm ai mund të kalojë te Lokomotiva e Zagrebit.

indrit prodani

Indrit Prodani ishte pjesë e bardhezinjve edicionin e shkuar dhe zgjodhi të largohet me parametra zero drejt kryeqytetit kroat. Një vit më parë mbrojtësi Prodani u transferua nga të rinjtë e Partizanit dhe klubi i vendlindjes, Laçi dhe menjëherë ka arritur që të hedhë një hap të ri në karrierën e tij futbollistike. 20-vjeçari u aktivizua në dy ndeshje si zëvendësues me Laçin në edicionin e fundit në superiore me fanellën e Laçit. Skuadra kurbinase po fiton një traditë të mirë, pasi u jep besim dhe i promovon elementët e rinj.

Rasti i menaxhimit të Myrto Uzunit është shembulli se si një klub i Superiores mund të gjejë elementë edhe në kategoritë inferiore, nga të cilët mund të bëjë biznes fitimprurës. Nëse nga sulmuesi beratas përfituan një shumë të majme, kurbinasit nuk kanë përfituar asgjë nga transferimi i Indrit Prodanit në Kroaci, pasi u largua si futbollist i lirë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"