Laçi si “ashensor”, kurbinasit numërojnë 5 pikë më shumë se viti i kaluar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2017 | 17:37

Laçi si “ashensor”, kurbinasit numërojnë 5 pikë më shumë se viti i kaluar

Një Laç për Europë dhe jo për mbijetesë. Skuadra e këtij sezoni nuk ka të krahasuar me atë të kampionatit të kaluar. Pas 11 javësh, ekipi i drejtuar nga Gentjan Mezani ka grumbulluar 15 pikë, 5 më tepër se sezoni i kaluar. Pra, me katër fitore, tre barazime dhe katër humbje, bardhezinjtë pozicionohen në vendin e pestë duke qenë vetëm katër pikë larg zonës europiane.

laci

Ndërsa në sezonin 2016-2017, deri në javën e 11-të kishin marrë vetëm dy fitore, katër barazime dhe pesë humbje, duke grumbulluar në total 10 pikë. Ndryshimi është i dukshëm, për më tepër që skuadra po shfaqet më mirë në transfertë sesa në shtëpi. Në klub janë të bindur se ky grup lojtarësh jo vetëm nuk do të diskutojë mbijetesën në Superiore, por do të tentojë deri në fund një vend në Europë. Shansi i Laçit është edhe Kupa e Shqipërisë, pasi ka një short relativisht të favorshëm.

Më 29 nëntor kurbinasit do të luajnë për turin e dytë ndaj Lushnjës. Në rast se arrijnë të kalojnë më tej pas dy ndeshjeve me sistem vajtjeardhje, atëherë Laçi do të ketë përballë në turin çerekfinal një mes Luftëtarit dhe Bylisit. Fakti që skuadra tashmë ka krijuar stabilitet në rezultate, ka ngrohur drejtuesit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"