Laçi rinovon me Shpëtim Duron, me kurbinasit firmosin edhe…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2022 | 14:37

Laçi rinovon me Shpëtim Duron, me kurbinasit firmosin edhe…

Laçi ka siguruar vendin e dytë në Kategorinë Superiore për herë të parë në historinë e tij, por njëkohësisht mund ta mbyllë këtë sezon me një trofe, pasi më 31 maj luan finalen e Kupës së Shqipërisë kundër Vllaznisë.

SHPETIM DURO

Klubi kurbinas ka nisur që tani të mendojë për të ardhmen dhe pikërisht dje në mbrëmje ka rikonfirmuar trajnerin Shpëtim Duro.

Përmes faqes zyrtare në rrjetet sociale, klubi ka zyrtarizuar marrëveshjen edhe për një tjetër sezon me 62-vjeçarin kryeqytetas, i cili bëri historinë në sezonin e kaluar në Ligën e Konferencës në krye të pankinës bardhezi.

Gjithashtu kanë ardhur edhe dy firma të rëndësishme për rinovimin e kontratave, pikërisht me portierin Mario Dajsinani dhe mbrojtësin e majtë, Rudolf Turkaj.

Dajsinani ka rinovuar kontratën deri në verë e vitit 2025, ndërsa Turkaj edhe për një sezon tjetër.

Të dy janë në planet e trajnerit Shpëtim Duro, prandaj dhe klubi nxitoi të arrinte marrëveshjet pa u mbyllur sezoni.

Dajsinani ka bërë një kampionat fantastik, duke i marrë vendin shkodranit Alen Sherri, i cili në fillimin e sezonit konsiderohej titullar te Laçi.

Nga ana tjetër, edhe Turkaj ka dhënë një kontribut të rëndësishëm, paçka se ka qenë i pafat prej dëmtimeve këtë sezon.

“Një tjetër vit me ne”, shkruante klubi i Laçit, duke nisur kështu serinë e rinovimeve që pritet të vijojnë, pasi kurbinasit duan që t’i kenë idetë e qarta për ekipin që do të kenë në dispozicion në Ligën e Konferencës.

LARGIMET – Me Duron në pankinë ambiciet do të jenë për titullin kampion në sezonin e ri, por gjithsesi klubi përveç rinovimeve, mund të privohet edhe nga largime të rëndësishme.

Tre titullarë janë me valixhe në dorë dhe bëhet fjalë për mesfushorët Juljan Shehu dhe Ardit Deliu, të cilët kanë oferta nga klubet turke dhe letoneze, por gjithashtu golashënuesi më i mirë, Saliu Guindo, që kërkohet nga hungarezët e Ferencvaroshit.

Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë pas finales së Kupës, teksa nuk ka asnjë garanci nëse futbollistët do të vijojnë në Laç.

Klubi kurbinas shpreson që të bëjë edhe ndonjë shitje të mundshme këtë periudhë, pikërisht me lojtarët që kanë nën kontratë dhe mund të kenë oferta të leverdishme për të dyja palët.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"