Laçi-Partizani në skanerin e Besnik Prengës: Prisni një duel “shahu”, të kuqtë janë në duar të sigurta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2019 | 21:11

Laçi-Partizani në skanerin e Besnik Prengës: Prisni një duel “shahu”, të kuqtë janë në duar të sigurta

Besnik Prenga, si ishlojtar i Partizanit dhe ish-trajner i Laçit, është i mendimit se përballja e kësaj jave mes dy skuadrave do të shpalosë një futboll të kujdesshëm dhe me raste të pakta për gol.

prenga

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Prenga bën analizën e dy ekipeve para duelit të radhës dhe sipas tij, Partizani është në duar të sigurta dhe ka besim te trajneri Lerda. Ish-trajneri tregon arsyet pse Laçi po vuan në start, por beson se shumë shpejt do të tregojë forcën reale.

Besnik Prenga pohon se forcimi i akademive do të jetë rruga që Partizani dhe çdo klub tjetër të bëhet konkurrues në Europë. Prenga jeton e punon prej vitesh në Kroaci, ku aktualisht është pranë Lokomotivës së Zagrebit, pohon se ndjek Superioren dhe luftën për titullin kampion e shikon mes Partizanit, Tiranës dhe Kukësit.

Si e shikoni ndeshjen e radhës mes Laçit dhe Partizanit duke parë se të dyja ekipet nuk është se e kanë nisur mbarë sezonin?

Do jete ndeshje mes dy ekipeve, të cilat jo me shumë dëshirë do të zgjidhnin të luanin kundra njëri-tjetrit. Shanset janë 50-50 duke shikuar jo vetëm cilësitë apo formën që kanë të dyja ekipet, as për traditën që është krijuar vitet e fundit, por duke pare se skuadrat drejtohen nga dy trajnerë pragmatikë që luajnë futboll pak a shumë të njëjtë, ku rëndësi ka rezultati dhe jo mënyra si arrihet rezultati . Besoj se do të luajnë edhe me të njëjtin sistem, 3-5-2 ose 5-3-2. Pra, mendoj se do të jetë një ndeshje ku ekipet do japin maksimumin. Të dyja skuadrat do të jenë të kujdesshme dhe me pak raste për gola.

Prenga

Cili ekip e ka më shumë jetike fitoren në këtë takim?

Mendoj se është një ndeshje e rëndësishme për të dyja skuadrat, por jo jetike, pasi është java e katërt e kampionatit. Fitorja Partizanit do t’i jepte jo vetëm pikët maksimale, por edhe qetësinë që aq shumë kanë nevojë (e kush nuk ka në Shqipëri). Pastaj fitorja do të tregonte se Partizani mbetet Partizan dhe është në rrugën e duhur, duke vërtetuar se humbja me Kukësin ishte vetëm një ditë jo e mirë.

Por edhe çdo rezultat tjetër nuk duhet ta ndalë Partizanin nga rruga e stabilizimit të klubit mbi themele të shëndosha. Për Laçin, fitorja do ishte diçka që ata kanë nevojë dhe lojtarët ta kuptojnë dhe besojnë se kanë cilësitë për të mundur çdo kundërshtar, si dhe për të vërtetuar që rezultatet në ndeshjet miqësore nuk ishin rastësi. Pra, fitorja i jep Laçit besim dhe qetësi, pasi forca dhe dëshira nuk kanë munguar .

Si ju duket Partizani pas ikjes së Gegës, i cili po aplikon tashmë një skemë të re loje, 3- 5-2?

Nuk është e lehtë të marrësh drejtimin e Partizanit pas Skënder Gegës, trajnerit që ktheu titullin kampion pas 26 vitesh te të kuqtë. Megjithatë, mendoj se klubi ka bërë goditjen e duhur me caktimin e Franko Lerdës në krye të ekipit. E ndoqa Partizanin në Europë dhe më pëlqeu mënyra e organizimit të lojës nga ana e trajnerit. Ekipi ishte i qartë në mbrojtje dhe në sulm dhe me sa pashë, lojtarët ishin besnikë dhe fanatikë për të zbatuar idetë dhe detyrat taktike të vëna nga Lerda.

Pra, në pak kohë, lojtarët kishin pranuar Lerdën bashkë me idetë e tij. Megjithatë, ekipi ka nevojë për kohë që të fillojë të japë ndeshje të bukura. Lojtarët duan kohë që të vijnë në gjendje optimale tekniko-taktike, por edhe trajnerit duhet t’i jepet kohë dhe mbështetje nga ana e drejtuesve të klubit, si dhe nga tifozët që gjithmonë duan rezultat dhe lojëra cilësore. Pra, mendoj se Partizani do të vijë duke u rritur, sepse për mua është në duar të sigurta.

Po Laçi, pse me kaq probleme në start?

Ka vite që jemi mësuar ta shikojmë Laçin me skuadër, lojëra dhe ecuri të mirë. Megjithatë, ky fillim jo i mirë nuk është fytyra e vërtetë e Laçit. Duke parë që klubi ka bërë shume ndryshime në ekip (bëhet fjalë për 12-15 lojtarë) unë e prisja një fillim të vështirë. Por, duke parë dyshen Laska-Starova jam i bindur se Laçi do ta marrë shumë shpejt veten dhe do ngrihet mes 3-4 skuadrave më të mira.

Çfarë duhet të bëjë më mirë Partizani si kampion, por edhe klubet e tjera shqiptare që të jenë më konkurruese në Europë?

Partizani ka ndryshuar shumë si klub kohët e fundit. Drejtuesit mendoj se janë në rrugë të mbarë për ta bërë Partizanin një klub stabël, si nga rezultatet, por edhe nga ana organizative. Më erdhi mirë që kanë filluar punimet për fushat stërvitore dhe besoj se së shpejti me krijimin e domosdoshëm të infrastrukturës, do të hedhë një vëmendje më të madhe tek akademia e klubit. Vetëm forcimi i akademisë dhe rritja e nivelit të saj do të bëjë që Partizani, por edhe çdo klub tjetër shqiptar të ketë stabilitet dhe perspektivë për të konkurruar me Europën, por edhe për të shitur lojtarët e dalë nga këto akademi.

Si trajner, por edhe skaut që jeni, a mendoni se futbolli shqiptar ka elementë që mund të transferohen së shpejti jashtë vendit?

Në Shqipëri mendoj se ka talente, por lojtarin e shet kampionati, klubi dhe ekipi. Pra, duhet të rrisim nivelin e kampionatit që edhe klubet shqiptare të shesin lojtarë në kampionatet europiane.

Me aq sa i keni ndjekur zhvillimet e Superiores, rivalitetin për kampion mes cilave skuadrave e shikoni?

Janë luajtur vetëm tri javët e para të kampionatit, kështu që është herët për të thënë se cili është favorit për fitimin e titullit, megjithëse dihen skuadrat që janë ndërtuar për të dalë kampione. Partizani, Tirana dhe Kukësi janë konkurrentët kryesorë nga ku do të dalë edhe ekipi kampion, edhe Laçi me Teutën nuk janë shumë larg.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"