Laçi nuk njeh humbje, Mërgjyshi pret rikthimin te triumfi në Fushë-Krujë
Laçi i trajnerit Artan Mërgjyshi nuk e njeh humbjen në katër javët e para të kampionatit. Kurbinasit janë sot mysafirë të Kastriotit, ndeshje e cila do të luhet në fushën e stadiumit “Redi Maloku” të Fushë-Krujës.
Laçianët synojnë që edhe këtë javë të ruajnë pathyeshmërinë, ndaj barazimi konsiderohet si qëllimi minimal për këtë duel të javës së pestë. Me largimin e Myrto Uzunit faza sulmuese e Laçit ka pësuar rënie, por trajneri Mërgjyshi ka disa alternativa në ekip, të cilët duhet pranuar që nuk janë në gjendjen optimale. Shpresat e golit te kurbinasit varen nga i riu Redon Xhixha, që pritet të jetë pika referuese edhe për Kastriotin, por mund të vendosë edhe eksperienca e Xhevahir Sukajt apo dalja në skenë e dy futbollistëve nga Maqedonia, Marian Altiparmakovski, Bojan Najdenov. Formacioni për ndeshjen e sotme pritet që të mos pësojë ndryshime nga ajo e ndeshjes së fundit, ku barazuan 0-0 në shtëpi ndaj Partizanit.
Por nuk përjashtohet mundësia që të ketë ndonjë modifikim në fazën sulmuese, ku gjithçka varet nga besimi që stafi do të ketë te forma e bomberit shkodran, Xhevahir Sukaj. Porta mbetet e konsoliduar me kapitenin Selmani, i cili para tij pritet që sot të ketë katërshen e mbrojtjes, e formuar nga Fangaj, Mersinaj, Gjoni dhe Sefgjini. Para kësaj katërshje si zakonisht qëndron kroati Eller, ndërsa në qendër të mesfushës priten Lushkja dhe Najdenov. Në majtë të sulmit parashikohet Xhixha, i cili nga krahët e sulmit pritet të ndihmohet nga Shtubina dhe Altiparmakovski.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"