Laçi nis merkaton fuqishëm, prezantohen 2 afrime te kurbinasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2020 | 14:31

Laçi nis merkaton fuqishëm, prezantohen 2 afrime te kurbinasit

Renato Malota, pas “divorcit” me Vllazninë nuk ka vonuar për të gjetur destinacionin e ri. 24 orë pas lamtumirës që i dha skuadrës shkodrane, Malota ka firmosur me Laçin dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes, 31- vjeçari është vënë nën urdhrat e trajnerit Armando Cungu, ku skuadra po përgatitet për ndeshjen e turit të parë eliminator të Ligës së Europës ndaj azerëve të Keshlas. Me afrimin e mbrojtësit lezhjan, mbrojtja e skuadrës kurbinase është më solide dhe me më shumë përvojë.

malota

Gjithashtu ditën e djeshme është zyrtarizuar edhe afrimi i Klejdi Rapos, i cili vjen nga skuadra e Devollit, me këta të fundit që u rrëzuan në Kategorinë e Dytë. Rapo ka firmosur kontratë 3-vjeçare me kurbinasit.
rapo

TRAJNERI CUNGU– Në kuadër të përgatitjeve për Ligën e Europës, kurbinasit të enjten zhvilluan miqësoren e parë, ku fituan 1-0 me Apoloninë. Pas këtij testi trajneri i Laçit, Armndo Cungu, për “Panorama Sport” u shpreh: “Ishte e domosdoshme një miqësore e tillë në këtë moment, për të parë gjendjen e ekipit në përgjithësi dhe në veçanti individët që kemi afruar.

Pres më shumë nga ekipi në përgjithësi, por edhe nga individë të caktuar. Sa u përket afrimeve, është ndeshja e parë e tyre dhe nuk mund të nxjerrësh përfundime apo konkluzione të përshpejtuara. Duan edhe ata kohën e vet, megjithëse, për të qenë i sinqertë, prisja shumë më tepër prej tyre. Ndeshja me azerët e Keshlas është shumë e rëndësishme për ne dhe e dimë se çfarë do të thotë një kualifikim në Europë dhe unë e njoh mirë këtë gjë, sepse kam luajtur disa herë në këto kompeticione dhe normalisht që kemi pasur sukseset tona. E di se çfarë do të thotë kalim turi për të mirën dhe të ardhurat e klubit. Natyrshëm që fokusimi maksimal do të jetë te kjo ndeshje”.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"