Laçi në sulm, Mërgjyshi gati “kurthin”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2018 | 10:47

Laçi në sulm, Mërgjyshi gati “kurthin”

Laçi ka mbyllur përgatitjet në mënyrën më të mirë në prag të takimit me Partizanin. Trajneri Artan Mërgjyshi u ka marrë maksimumin lojtarëve në këtë periudhë afro dyjavore që prej pauzës së kampionatit. Fillimisht, ai testoi lojtarët me më pak minuta në këmbë në një miqësore ndaj Ilirisë, ndërsa pak ditë më parë kishte luksin të shkonte me ekipin e dytë në Kuçovë në kuadër të turit të parë të Kupës së Shqipërisë.

mergjyshi korabi

Në krahasim me ndeshjen e fundit që Laçi ka luajtur për kampionat ndaj Skënderbeut në Korçë, në formacion pritet të ketë vetëm dy ndryshime. I pari është i detyruar, pasi Laçi nuk do të ketë më në përbërje Myrto Uzunin, i cili ka nisur një aventurë të re në Kroaci te Lokomotiv Zagreb. Si për koincidencë, beratasi mund të debutojë sot me kroatët, pikërisht në të njëjtën kohë kur luhet edhe Laçi-Partizani. Zëvendësuesi ideal i Uzunit shihet i riu Elvi Berisha, i cili është vetëm 19 vjeç dhe ka ardhur nga Leganes. Mirëpo, sot trajneri kërkon që të ketë më tepër eksperiencë në fushë, duke i besuar në krahun e majtë të sulmit maqedonasit Marjan Altiparmakovski. Ky i fundit, bashkë me Xhixhën dhe Shtubinën, do të jenë treshja e sulmit kurbinas.

laci

Ndërkohë, lojtari tjetër i afruar në merkaton e verës, Ivan Galiç, është në dyshim për t’u aktivizuar, pasi u dëmtua në ndeshjen e Kupës në Kuçovë. Nga stoli pritet ta nisin edhe blerjet e tjera të verës si kiliani Toro, por gjithashtu edhe sulmuesi shkodran, Xhevahir Sukaj. Mërgjyshi ka përgatitur një skuadër, që do të tentojë golin që në start, me një presion lart, duke mos i lënë hapësira Partizanit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"