Laçi në ngërç, vonesat e afrimeve para Europës detyrojnë Duron të improvizojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2022 | 16:53

Laçi në ngërç, vonesat e afrimeve para Europës detyrojnë Duron të improvizojë

Shqipëria edhe në këtë sezon merr pjesë në Kupat e Europës me katër ekipe, Tirana në Champions, Partizani dhe Laçi e nisin nga turi i parë në Ligën e Konferencës, ndërsa Vllaznia aventurën europiane e nis nga turi i dytë i Ligës së Konferencës. Nga këto katër skuadra, Laçi mbetet ekipi që është më prapa sa u përket ndërhyrjeve në merkato, pasi kurbinasit nuk kanë arritur ende të mbushin boshllëqet e krijuara nga largimet që patën në fund të sezonit të shkuar.

LACI

Laçi dje është transferuar në Pogradec për të zhvilluar një fazë përgatitore përpara dy ndeshjeve me Iskrën. Trajneri Shpëtim Duro po punon me grupin e trashëguar nga sezoni i fundit dhe i vetmi afrim mbetet Luka Cucin, që vjen si zëvendësues i Bashkim Veliajt në krahun e djathtë. Laçi mund të jetë i kompletuar në fazën sulmuese, por skuadra ka shumë nevojë për përforcime në mbrojtje, por kryesisht në mesfushë, pasi ka humbur treshen e famshme Lushkja-Shehu-Deliu.

Duke qenë se ndeshja e parë me Iskrën po afron, më 7 korrik, laçianët janë shumë prapa me axhendën e kësaj ndeshjeje, madje pas hedhjes së shortit trajneri Duro e pranoi vetë për “Panorama Sport” se janë të vonuar. Disi e habitshme situata aktuale te Laçi, pasi në të shkuarën kurbinasit kanë qenë pararojë në merkato dhe përgatitjet i nisnin me grup të plotë, ndryshe nga sivjet. Problem mbetet edhe zhvillimi i ndeshjeve miqësore, për faktin se në vend asnjë ekip nuk e ka nisur fazën përgatitore, veç skuadrave që luajnë në Europë. Duke qenë se po përgatiten në Pogradec, mund të sajojnë ndonjë miqësore me ndonjë ekip kosovar apo maqedonas që po përgatiten aktualisht në Maqedoninë e Veriut.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"