Laçi në merkato për një mbrojtës të djathtë, Nicës nuk i mjafton i riu Fangaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2017 | 11:55

Laçi në merkato për një mbrojtës të djathtë, Nicës nuk i mjafton i riu Fangaj

Drejtuesit e Laçit vazhdojnë të jenë në merkato për të plotësuar organikën pas largimeve të shumta që përfshinë ekipin me mbylljen e sezonit të shkuar. Për momentin, kërkimet janë përqendruar në një drejtim. Largimi i mbrojtësit të krahut të djathtë, Drilon Musajt, ka lënë një hapësirë bosh në këtë pozicion.

drilon-musaj

Trajneri Nica ka kërkuar një lojtar me eksperiencë edhe pse ka në dispozicion Fangajn. Emri që ka dalë në skenë është ai i Erlis Frashërit, i cili ka mbyllur sezonin e shkuar me skuadrën e Kamzës dhe ka bërë një paraqitje të mirë aty. Korçari pëlqehet nga stafi teknik, por transferimi i tij në Laç do të jetë pak i vështirë, duke qenë se ai pret që të firmosë me skuadrën e Kamzës, e cila ka siguruar një vend në Superiore.

Në një situatë të tillë, klubi është duke parë edhe alternativa të tjera jashtë vendit. Kurbinasit do të ndërtojnë një skuadër, e cila mos të rrezikojë rënien si sezonin e shkuar, por të renditet në mesin e tabelës së klasifikimit. Drejtuesit kanë planifikuar të bëjnë një merkato të kujdesshme, duke afruar lojtarë cilësorë dhe të rinj në moshë.

Ditët e fundit, stafi teknik ka kryer edhe seleksionime me lojtarë të ardhur në provë, por asnjëri prej tyre nuk ka bindur dhe janë larguar. Ndërkohë që krahas merkatos, skuadra do të vazhdojë seancat stërvitore me ritëm të lartë dhe parashikohet të luhen edhe disa ndeshje miqësore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"