Laçi në festë, federohet maqedonasi Najdenov. Kurbinasit “peshkojnë” edhe një fierak

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2018 | 20:19

Laçi në festë, federohet maqedonasi Najdenov. Kurbinasit “peshkojnë” edhe një fierak

Pas një muaji pritjeje, më në fund Laçi do të ketë të gatshëm mesfushorin maqedonas, Bojan Najdenov. 27-vjeçari ishte në gjyq me klubin iranian, Esteghal, ku dhe luajti në sezonin e kaluar. Edhe pse kishte firmosur me Laçin, iranianët nuk e lëshonin lejen e kalimit, duke rrezikuar jo pak federimin e Najdenov. Mirëpo, dy ditë më parë FIFA ka vendosur në favor të futbollistët dhe menjëherë ka konfirmuar në sistemin ndërkombëtar të transferimit federimin e tij për llogari të krubinasve.

Tashmë, ai do të jetë një vlerë e shtuar në dispozicion të trajnerit Artan Mërgjyshi. Mesfushori i qendrës ka shumë eksperiencë dhe për më tepër njihet si një lojtar që e godet portën dhe shpesh ka realizuar supergola me skuadrat ku ka luajtur në Maqedoni, si Horizont Turnovo dhe Rabotniçki. Sipas të gjitha gjasave, ai do të debutojë me Laçin, duke qenë titullar ndaj Partizanit.

Bojan_Najdenov

JULIAN FERRO – Klubi kurbinas vijon të peshkojë lojtarë të talentuar, me synimin që t’i afirmojë në Kategorinë Superiore dhe në një të ardhme të shkurtër t’i shesë jashtë vendit. “Panorama Sport” mëson se i fundit që ka firmosur me Laçin është 19-vjeçari fierak, Julian Ferro. Ky i fundit vjen pas aktivizimit me ekipet e grupmoshave të Apolonisë, U-17 dhe U-19. Bëhet fjalë për një mesfushor, të cilin klubi e ka pikasur dhe i ka ofruar një kontratë afatgjatë.

Gjatë këtij sezoni, drejtuesit kanë pretendime të larta jo vetëm me ekipin e parë, por edhe të rinjtë, të cilët e kanë nisur kampionatin U-19 në Superiore me një fitore të thellë dhe një barazim. Kalimi i një turi në Ligën e Europës dhe për më tepër shitja e Myrto Uzunit në Kroaci kanë bërë që buxheti i klubit për këtë sezon të rritet ndjeshëm. Në limitin e merkatos u afruan lojtarë si Xhevahir Sukaj, Ivan Galiç dhe Elvi Berisha, me këtë të fundit që shihet si pasardhësi i Uzunit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"