Laçi ndaj Partizanit pa Rexhinaldon, Nica: Nuk dalim pa pikë nga Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2017 | 11:46

Laçi ndaj Partizanit pa Rexhinaldon, Nica: Nuk dalim pa pikë nga Tirana

Laçi i trajnerit Stavri Nica e nis sezonin e ri ndaj Partizanit, ndeshje e cila do të zhvillohet në kryeqytet. Kurbinasit kanë zhvilluar një punë voluminoze gjatë merkatos së verës, në mënyrë që paraqitja e tyre në sezonin 2017-2018 të mos ketë lidhje me edicionin e fundit.

nica

Laçianët mbijetuan me sforco në sezonin e fundit dhe rikthimi i trajnerit Nica në krye të skuadrës bëri që bardhezinjtë të evitojnë dështimin, zbritjen në Kategorinë e Parë. Laçi e nis kampionatin me një duel të vështirë, kur dihet se në edicionin e fundit kurbinasit nuk arritën të shënojnë asnjë gol në portën e Partizanit në katër ndeshje.

Por, falë drejtimit të trajnerit Nica, laçianët me barazimin 0-0 që morën në kryeqytet shuan shpresat e Partizanit për titullin kampion. Ky takim pritet të jetë frymëzim edhe për skuadrën aktuale të trajnerit Nica, i cili ka pohuar dje për mediat se Laçi vjen në kryeqytet për të bërë më të mirën.

Partizani Laci

Tekniku durrsak kërkon nga lojtarët e tij që të luajnë thjesht ndaj Partizanit dhe të realizojnë detyrat e ngarkuara. “Jemi përgatitur seriozisht gjatë këtyre ditëve. Kemi një ndeshje të vështirë, ndaj një ekipi si Partizani, i cili ka pretendime dhe gjatë merkatos së verës ka bërë shumë lëvizje.

Me gjithë këto ndryshime të ndodhura, nuk është se e njohim shumë kundërshtarin. Gjithsesi, ne e kemi të qartë se duhet të bëjmë më të mirën tonë ndaj të kuqve në kryeqytet dhe për këtë jemi përgatitur. Motivimi në këto lloj ndeshjesh është i madh, por duhet që skuadra të ketë ekuilibër në fushën e lojës.

Laci

Na duhet të luajmë thjesht dhe nëse do të bëjmë mirë detyrat, duke u vendosur ashtu si duhet taktikisht, atëherë nuk do të dalim pa gjë nga kjo transfertë. Duhet të kemi besim dhe të luajmë lojën tonë.

Shpresojmë shumë që ta nisim me një rezultat pozitiv sezonin e ri që pa dyshim do të jetë komplet ndryshe nga kampionati i fundit”, u shpreh për mediat, një ditë para startit të sezonit të ri, trajneri i Laçit, Stavri Nica. Kurbinasit vijnë me probleme në kryeqytet, pasi ka lojtarë me shqetësime fizike, ku me shumë mundësi ishmbrojtësi i të kuqve, Harallamb Qaqi, do të mungojë sot.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"