Laçi mposhtet nga Besëlidhja, kurbinasit ndalen te shtylla. Ja rastet dhe skeda e ndeshjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2020 | 12:44

Laçi mposhtet nga Besëlidhja, kurbinasit ndalen te shtylla. Ja rastet dhe skeda e ndeshjes

Miqësorja mes Besëlidhjes e Laçit u zhvillua në Lezhë me kohë të reduktuar, pikërisht nga 40 minuta pjesa dhe pothuajse me një stadium të zbrazur. Stafi i Besëlidhjes kishte menduar që të zhvillonte një takim me një skuadër të Superiores, për arsye se ndeshjen e parë pas rifillimit të futbollit, do ta zhvillojë me Tiranën për llogari të çerekfinales së Kupës së Shqipërisë më 7 qershor në Lezhë. Laçi i Armando Cungut luajti me një formacion miks, edhe pse shumica e lojtarëve që e nisën nga minuta e parë, janë titullarë fiks. Ndeshja përfundoi me fitoren 1-0 të Besëlidhjes falë golit të Jovaneviç.beselidhja laci

NDESHJA

Loja ka nisur shumë e shpejtë nga të dyja skuadrat, pasi kërkuan avantazhin duke krijuar disa raste në portat respektive. Të parët kanë qenë laçianët që kanë krijuar epërsi në sulm, duke e vënë në alarm mbrojtjen lezhjane, por nuk ia dolën që të shënonin. Pas këtij rasti ishin lezhjanët që sulmuan portën kurbinase me anë të Hajdarit dhe Jovaneviç, por pa rezultat. Gjithsesi, Laçi reagoi duke goditur shtyllën me Lushkjen.

Në minutën e 28-të do të vinte edhe rasti ideal i ndeshjes, ku futbollistët lezhjanë, pas një sulmi të shpejtë gjejnë golin me anë të sulmuesit serb, Jovaneviç. Në fund ky gol rezultoi vendimtar, pasi skuadrat nuk realizuan më. Skuadra laçiane e kërkoi me ngulm barazimin, duke e shtyrë Besëlidhjen në mbrojtje, por kurbinasit ishin të pafat, sepse e goditën sërish me Rapon shtyllën e portës së Vukashinoviç. Fraksioni i dytë e uli tempin, pasi kishte shumë zëvendësime nga të dy trajnerët. Kjo ndikoi edhe në rezultat, ndonëse kishte disa raste në të dyja portat.

Laçi ishte fiksuar me shtyllat, pasi goditi për të tretën herë traun në pjesën e dytë. Në këtë miqësore ra në sy aktivizimi i futbollistit të ekipit U-15 të Besëlidhjes, Albi Koleci, i cili u aktivizua gjatë gjithë pjesës së dytë, duke performuar kënaqshëm përballë një ekipi të Superiores. Ky test u shërbeu mjaft skuadrave për vetë faktin se lojtarët vijnë nga një kohë e gjatë pa ndeshje zyrtare. Tashmë trajnerët Plori dhe Cungu do t’u japin dorën e fundit përgatitjeve në prag të rifillimit të kampionatit.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"