Laçi merr Gocajn, testohen edhe tre kosovarë

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Korrik 22, 2015 | 19:57

Laçi merr Gocajn, testohen edhe tre kosovarë

gocajLaçianët zbarkuan të hënën në seancën e parë përgatitore. Ata janë mbledhur fillimisht në ambientet e stadiumit, ndërkohë që pas përshëndetjes së presidentit Laska dhe analizës teknike të ndeshjes me Inter Bakunë nga trajneri Cungu, grupi ka dalë në fushë. Në përbërje të ekipit kurbinas ishin thuajse të gjithë ata lojtarë që veshën një fanellë në përballjet me azerët.

Madje edhe për disa sportistë të huaj, si Xhejms Adeniji, apo Vujadinoviç e Cetkoviç, për të cilët ishte thënë se do mund të kishin pak më shumë pushime, seanca e parë i ka gjetur në Laç. Tregues ky që paralajmëron se Laçi i këtij edicioni pritet të jetë edhe më kërkues ndaj vetes.

“Ikën Olsi, vjen një Olsi…”

Pozicioni gjeografik i shkëlqyer i Laçit (40 km larg Tiranës dhe 50 larg Shkodrës) i ka ndihmuar kurbinasit të operojnë shpesh me futbollistë nga dy prej qyteteve më të mëdha të vendit. Nëse pjesa dërrmuese e formacionit të shkuar u përkiste lojtarëve me bazë nga Tirana, duhet theksuar se elementet nga kahu tjetër, Shkodra, asnjëherë nuk u kanë munguar bardhezinjve. Dhe goditja e parë sezonale vjen pikërisht nga qyteti verior, ndërsa në terren me Laçin është parë mesfushori Olsi Gocaj. “Për Gocajn, s’ka nevojë për provë. I kam propozuar presidentit që e dua në grup, pasi si unë, ashtu edhe drejtori teknik Ndreu, ia dimë vlerat këtij futbollisti”, është shprehur dje pasdite trajneri i Laçit, Armando Cungu.

“Me sa di unë, po diskutohet për detajet, ndaj Olsin quajeni pjesë dhe vlerë e shtuar e Laçit të ri”, shtoi tekniku. Kështu, pas largimit të OlsTeqjes drejt Tiranës, një tjetër Olsi zbret në fushë me një fanellë bardhezi. Ndërkohë, në start janë parë edhe tre futbollistë nga Kosova që janë marrë në provë. Njëri prej tyre, i aktivizuar në një klub të Ligës së dytë franceze, ka dhënë shenja të qarta se do të mbetet në Laç. Por, përkundër tyre, risia e radhës ka të bëjë me përfshirjen e Vuthit junior. Ish-futbollisti i njohur i Laçit në vitet ’90, Andi Vuthi, pas eksperiencës edhe me Partizanin, mërgoi në Itali, teksa prej disa vitesh jeton e punon në shtetin fqinj. Vuthi junior dëshiron të vijojë karrierën te Laçi. Vendimi për lojtarët në provë, pritet të dalë pas një jave. Isuf Myrtaj





www.minuta90.com