Laçi mendon për Europën me “silenciator”, Prenga pret përforcimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2018 | 16:40

Laçi mendon për Europën me “silenciator”, Prenga pret përforcimet

Pas emërimit të trajnerit Besnik Prenga në krye të stolit, skuadra e Laçit ka nisur të mendojë për pjesëmarrjen në Europë. Tekniku që ka punuar në Kroaci pritet të sjellë prej aty dy lojtarë, emrat e të cilëve nuk bëhen me dije, por që bisedimet janë shumë afër dhe në ditët në vijim ata mund t’i bashkohen skuadrës në seancat stërvitore. Bëhet fjalë për një qendërmbrojtës, repart ku kurbinasit kanë shumë nevojë për përforcime, kjo edhe për shkak të largimit të Qaqit dhe një mesfushor organizator.

Laci

Të dy futbollistët kanë luajtur në kampionatin kroat dhe trajneri i njeh mjaft mirë, çka do të thotë se bëjnë diferencën me grupin aktual dhe nuk do të kenë nevojë për provë. Por, përveç tregut të huaj, kurbinasit janë duke menduar edhe për ndonjë përforcim cilësor nga tregu vendës, pavarësisht se alternativat janë më të pakta. Gjithsesi, trajneri e ka të qartë se ku ka nevojë më shumë skuadra për ndërhyrje dhe së bashku me presidentin Laska janë duke përgatitur edhe goditjen e radhës.

Laçi ka siguruar një vend në Europë, pasi u rendit në vendin e katërt në tabelën e klasifikimit të Kategorisë Superiore. Gjatë kampionatit bardhezinjtë u drejtuan nga vlonjati Gentian Mezani, por ai u largua në përfundim të kampionatit dhe vendin e tij e zuri Besnik Prenga, që la Kroacinë për të provuar një eksperiencë në Superiore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"