Laçi mendon largimet në janar, dy emra pranë lamtumirës nga kurbinasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2023 | 20:00

Laçi mendon largimet në janar, dy emra pranë lamtumirës nga kurbinasit

Laçi u rikthye te fitorja në ndeshjen ndaj Kastriotit dhe skuadra bindi me lojë dhe gola. Rezultati 4-1 çliroi kurbinasit, të cilët tashmë po e përgatisin me më shumë qetësi ndeshjen e radhës ndaj Teutës, që do ta luajnë të hënën sërish në shtëpi, në orën 13:00.

FOTO: P. Pashollari

FOTO: P. Pashollari

Trajneri Gentjan Mezani pritet të mos ketë sërish të gatshëm qendërmbrojtësit Viktor Velkoski dhe Albi Alla, të cilët vijojnë fazën e riaftësimit pas dëmtimeve që kanë pësuar në javët e kaluara. Ndërkohë, “Panorama Sport” mëson se nga skuadra kurbinase pritet të ketë firo në ditët në vazhdim.

Një prej lojtarëve që ka qenë titullar në pjesën e parë të sezonit, pikërisht serbi i krahut të djathtë, Luka Cucin, thuajse është larguar nga badhezinjtë, edhe pse nga klubi ende nuk ka një konfirmim zyrtar. Ai nuk është grumbulluar në asnjë prej ndeshjeve të këtij viti, por e njëjta gjë mund të thuhet edhe për mesfushorin ukrainas Mykyta Peterman.

Ky i fundit ka qenë më shumë në stol në këto dy faza kampionat dhe duke parë konkurrencën e madhe në qendër të mesfushës, pritet që me ukrainasin të prishet kontrata.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"