Laçi me sytë nga merkato, klubi gati t’i plotësojë grupin trajnerit Mërgjyshi

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Gusht 21, 2018 | 16:21

Laçi me sytë nga merkato, klubi gati t’i plotësojë grupin trajnerit Mërgjyshi

Laçi e nisi me një barazim kampionatin, duke marrë një pikë ndaj Kukësit në ndeshjen e luajtur në fushën asnjanëse të Elbasanit. Trajneri Artan Mërgjyshi mbeti i kënaqur nga loja dhe rezultati, duke pasur parasysh edhe çfarë grupi lojtarësh ka në dispozicion. Alternativat janë të pakta dhe tashmë klubi po punon intensivisht për të afruar të paktën edhe tre lojtarë.

laci

Bëhet fjalë për një sulmues dhe dy mesfushorë krahu. “Panorama Sport” ka paralajmëruar prej ditësh se drejtuesit po negociojnë me një slloven dhe një malazez për sulmin, pikërisht Dejan Djermanoviç dhe Bogdan Miliç. Në klub janë të varur edhe nga qëndrimi ose jo i mesfushorit të krahut, Myrto Uzuni. Largimi i tij do ta bënte të domosdoshme afrimin e të paktën dy lojtarëve që luajnë në krahët e sulmit. Deri më tani bardhezinjtë kanë afruar kroatin Nikola Eller, të rinjtë Endi Hadroj dhe Jon Mersinaj, qendërmbrojtësin nga Kili, Sebastian Patricio Toro, si dhe mesfushorin maqedonas, Bojan Najdenov.

Ky i fundit ende nuk mund të luajë për kurbinasit, pasi nuk ka marrë OK-in nga FIFA, duke qenë se është në gjyq me klubin iranian, Esteghal, ku luajti në sezonin e fundit. Të shtunën bardhezinjtë do të luajnë ndaj Luftëtarit, një kundërshtar që sezonin e kaluar Laçi nuk arriti ta mposhtte asnjëherë si brenda dhe jashtë.





www.minuta90.com