Laçi me sytë nga Kroacia, priten një mbrojtës dhe një sulmues. Nika drejt largimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2018 | 16:27

Laçi me sytë nga Kroacia, priten një mbrojtës dhe një sulmues. Nika drejt largimit

Laçi vijon me intensitet në drejtimin e Besnik Prengës përgatitjet për Ligën e Europës. Trajneri i ri po mundohet t’u marrë më të mirën lojtarëve, në një kohë që pas miqësores me Dritën, synohet të zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera testuese. Nga sezoni i fundit skuadrës i janë larguar disa lojtarë, thuajse të gjithë titullarë si Harallamb Qaqi, Arbër Shala, Sherif Kallaku dhe Arturo Rexhinaldo.

Laci

Ende nuk është kthyer braziliani Maikon Eskerda, për të cilin klubi shpreson se do ta ketë të gatshëm për ndeshjet europiane. Ndërkohë, “Panorama Sport” mëson se një prej lojtarëve që mund të largohet nga Laçi është edhe Ansi Nika. Shkodrani nuk u aktivizua si titullar as në miqësoren e fundit, por në ditët e ardhshme do të vendoset. Sa i përket shkodranit tjetër, Ndriçim Shtubina, pritet që të qëndrojë për Ligën e Europës, e më pas të vendoset nëse do të transferohet në kampionatin kosovar te Trepça ’89.

Pas mesfushorit kroat, Nikola Eller, trajneri i Laçit pret që skuadra të fuqizohet edhe me dy lojtarë të rëndësishëm në mbrojtje dhe sulm. Sytë janë sërish nga tregu kroat, teksa bëhet fjalë për lojtarë që Prenga i njeh mirë. Presidenti Pashk Laska është i gatshëm për të plotësuar kërkesat e trajnerit të ri. Ditët e fundit është lakuar edhe emri i qendërmbrojtësit Olsi Teqja, por kjo pistë duket sikur është sfumuar tashmë. Megjithatë, java që vjen pritet të jetë vendimtare për merkaton e kurbinasve, të cilët e shohin veten të dobësuar pas përfundimit të sezonit 2017-2018.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"