Laçi me sytë nga infermieria, kurbinasit në ankth për dy yjet e skuadrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2021 | 16:18

Laçi me sytë nga infermieria, kurbinasit në ankth për dy yjet e skuadrës

Miqësorja me Korabin nxori në pah problemet që ka aktualisht Laçi në prag të sezonit të ri. Mentor Mazrekaj dhe Regi Lushkja e ndoqën këtë test nga tribuna për shkak të dëmtimeve. Mazrekaj mungon që para ballafaqimit me Anderlehtin në turin e tretë të Konferencë Ligës, ku sulmuesi kosovar nuk arriti të luante asnjë minutë.

Mazrekaj goli

Riaftësimi i 32-vjeçarit ka zgjatur disi, por në klub shpresojnë që Mazrekaj të bëhet gati për startin e kampionatit, pasi është një futbollist me peshë dhe një pikat referuese të kurbinasve në fazën sulmuese. Por edhe mungesa e Lushkjes ka peshë, pasi ai është një nga numrat dhjetë më të mirë në Kategorinë Superiore, madje cilësitë e tij i shpalosi me Laçin edhe këtë verë në Konferencë Ligë.

Në miqësoren e fundit ndaj Korabit nuk u aktivizua as mbrojtësi, Renato Malota, dhe shkak u bë nisja më vonë e përgatitjeve me grupin. Kështu që mbrojtësi lezhjan nuk përbën problem për Laçin në prag të fillimit të sezonit 2021-2022, ku kurbinasit do të prezantohen me trajner të ri, malazezin Dejan Vukiçeviç.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"