Laçi me katër fantastikë, por Duro është në hall për mbrojtjen. Ndeshja me Vllazninë lë pasoja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 8, 2021 | 17:27

Laçi me katër fantastikë, por Duro është në hall për mbrojtjen. Ndeshja me Vllazninë lë pasoja

Në Shqipëri, gjetja e një bomberi goleador është shpesh mangësi e përbashkët për shumë skuadra. Ndodh edhe që ndonjë prej tyre të ketë varësi nga qendërsulmuesi kryesor, që në rast bllokimi të tij, ekipi vuan gjetjen e golit. Mirëpo, Laçi është ndër të paktat skuadra që ka në skuadër “katër fantastikë”.

festa e lacit (1)

Katër lojtarë, që pavarësisht skemës, pavarësisht formës së secilit si dhe pavarësisht minutave, luajnë titullarë apo futen nga stoli, arrijnë që të gjejnë rrugën e rrjetës. Kirian Nuabueze u kthye te goli në triumfin ndaj Vllaznisë, duke shkuar në kuotën e shtatë realizimeve. Mirëpo, edhe pse ai është krye-golashënuesi i skuadrës, gjatë javëve të fundit që ai nuk ka qenë në gjendje për të ndihmuar ekipin, Laçi është mbështetur te golat e pjesës tjetër. Xhixha ka në koleksion pesë realizime këtë sezon edhe pse ka ndodhur të mos jetë titullar i padiskutueshëm.

Në një superformë ka qenë edhe Mentor Mazrekaj i cili, krahas lojës ka shënuar 4 gola. Me shumë peshë, siç edhe ai ndaj Tiranës, me klas dhe vlerën e 3 pikëve. Me katër është edhe Harmon. I sapofutur ndaj Vllaznisë, diti që të kombinojë si duhet me Nuabuezen dhe në një kundërsulm fantastik shënoi përballë portierit golin e fitores. Kësisoj, Duro ka në drejtim një armatë sulmuesish, që së bashku kanë realizuar 20 gola.

MUNGESAT – Laçi e nis fazën e tretë me një transfertë delikate. Në Ballsh, përballë Bylisit që do të synojë me çdo kusht pikë për të reaguar nga fundi i tabelës, kurbinasit nuk do të kenë shërbimet e dyshes së qendrës së mbrojtjes. Obanor, i cili shpëtoi një gol të sigurt me faullin në ndeshjen në Shkodër do të mungojë pikërisht për shkak të kartonit të kuq. Gjithashtu, i padisponueshëm në këtë ndeshje do të jetë edhe Ignjatoviç, i cili ka plotësuar numrin e katër kartonëve. Kësisoj, trajneri Duro do të duhet të bëjë përzgjedhje të tjera.

Fakt është që në organikë, Laçi ka të tjerë qendërmbrojtës natyralë, si Malota dhe Selmani. Këto mungesa mund të detyrojnë trajnerin të përshtatë një prej lojtarëve të prapavijës në skemën me 3 prapa ose të kalojë në mbrojtjen me katër me Selmani e Malota në qendër dhe dy mes Turkajt, Markut dhe Mustës për dy krahët.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"