Laçi, Kukësi dhe Erzeni në podium, katër skuadra “ngelin në klasë”/ Ja notat e javës së 19-të sipas “Panorama Sport”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2023 | 23:43

Laçi, Kukësi dhe Erzeni në podium, katër skuadra “ngelin në klasë”/ Ja notat e javës së 19-të sipas “Panorama Sport”

Notat e skuadrave sipas “Panorama Sport”, pas përfundimit të javës së 19-të në Superiore:

superiore

LAÇI 8 – Një skuadër me karakter dhe lojtarë me shumë klas. U shokua në start nga Teuta, por më pas gjeti forca për të bërë një përmbysje të çmendur. Me mesfushorë si Majkëll Babatunde dhe Serxho Ujka, por edhe Adeleken në formë (për nigerianin ishte ndeshja e fundit me fanellë e Laçit), skuadra e Mezanit e bëri Teutën të dukej shumë e vogël. Dy fitoret radhazi kanë rikthyer qetësinë te kurbinasit.

KUKËSI 8 – Ekipi i Rrahman Hallaçit tregoi ndaj Tiranës se përmbysja që bëri në Rrogozhinë një javë më parë nuk ishte rastësi. Verilindorët e gjetën shpejt golin me afrimin më të fundit, Xhonson Ovusu, ndërsa mbrojtësi Altin Bytyçi vulosi fitoren që e largon Kukësin nga fundi.

ERZENI 8 – Mposhti Vllazninë dhe konfirmoi se mbetet një kockë e fortë për çdo ekip. Shijakasit i bën një nisje perfekte lojës dhe më pas në skenë doli sulmuesi brazilian, Patrik Nonato, i cili bëri diferencën me dy gola. Skuadra e Kapllanit i ka të gjitha mundësitë, jo vetëm për të siguruar mbijetesën, por edhe të kërkojë Europën.

BYLISI 7.5 – Merr një trepikësh të artë ndaj Kastriotit dhe ngjitet në vendin e shtatë. Japonezi Doi shënoi në debutim, në një ndeshje të ekuilibruar, ku goli dukej sikur nuk do të vinte kurrë.

EGNATIA 6 – Një pikë në frymën e fundit kundër Partizanit, duke iu falur cilësisë së sulmuesit Daumena. Trajneri i komanduar nga klubi, Edlir Tetova, kishte ndryshuar skemën, por pavarësisht se skuadra vuajti shumë, ia doli të merrte një barazim në transfertën delikate.

PARTIZANI 5 – Zhvillon një lojë shumë më të mirë në krahasim me atë kundër Teutës, por sërish nuk di të fitojë, madje edhe kur gjen avantazhin në minutën e 81-të. Menaxhimi i situatave po kthehet në gangrenë te “demat”, që nuk përfituan as nga hapi fals i Tiranës.

KASTRIOTI 4 – Nuk luan keq në Ballsh, por e pëson atëherë kur mendonte se do të dilte të paktën me një pikë ndaj rivalit direkt për mbijetesë. Skuadra e Ardian Memës po humb terren nga java në javë dhe fundi i tabelës tregon më së miri krizën që ka kapluar krutanët.

TIRANA 4 – Dy goditje standarde e ndëshkojnë në Kukës. Kampionët rikthehen me këmbë në tokë dhe ngushëllimi i vetëm për javën që lamë pas është se Partizani ndjekës nuk mori maksimumin e pikëve.

VLLAZNIA 4 – Pëson gol që nga “tuneli” dhe prish planet shumë shpejt në transfertën me shijakasit. E merr veten dhe i afrohet barazimit, por mbrojtja që “fut ujë” dhe lë shumë hapësira nuk e lë të ngrejë kokë. Dy humbje radhazi për të besuarit e Josës janë shumë në këtë situatë.

TEUTA 4 – Durrsakët prishën gjithçka me duart e tyre në Laç. Pas një 15-minutëshi fantastik, ku kaluan dy herë në avantazh, më pas u shpërfytyruan dhe pësuan 4 gola. Një ndeshje për t’u harruar dhe që nuk lë aspak shije të mirë për luhatjet e mëdha brenda 90-minutëshit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"