Laçi kërkon vazhdimësinë, Mezani pret një sforco kundër Kastriotit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2023 | 13:45

Laçi kërkon vazhdimësinë, Mezani pret një sforco kundër Kastriotit

Laçi luan të dielën një ndeshje delikate ndaj Kastriotit në stadiumin e Kamzës për llogari të javës së 27-të. Skuadra e Gentjan Mezanit vjen pas triumfit shumë të rëndësishëm në shtëpi ndaj Vllaznisë, ku sulmuesi Saliu Guindo shënoi dy gola.

Foto: P. Pashollari

Foto: P. Pashollari

Tri pikët ndaj shkodranëve ishin shumë të domosdoshme në situatën që po kalojnë bardhezinjtë. Pas 26 javësh, kurbinasit pozicionohen në vendin e tetë me 33 pikë dhe nëse gara do të mbyllej sot, atëherë do të luante një ndeshje shtesë për qëndrimin në Superiore me skuadrën që fiton fazën “play off” të Kategorisë së Parë.

Megjithatë, në kampin kurbinas janë të bindur se shumë shpejt do të largohen nga zona e poshtme e tabelës, pasi i kanë të gjitha mundësitë për të pretenduar pse jo një vend që të çon në Europë.

Distanca mes Laçit dhe skuadrës së vendit të tretë, që mbahet nga Egnatia, është vetëm pesë pikë. Ndeshja e kësaj të diele në Kamzë është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë e bardhezinjve, edhe për faktin se gjen një kundërshtar që ka ndoshta shansin e fundit për të shpresuar te mbijetesa, duke qenë se mbyll tabelën e klasifikimit dhe numri i ndeshjeve më pas mbetet nëntë të tilla për t’u luajtur.

Për të parë gjendjen e grupit pas pauzës së kampionatit, Laçi zhvilloi një miqësore me Tërbunin e Pukës të shtunën, ku fitoi me shifrat 4-1. Golat u shënuan nga Bibo, Myrta, Shkurtaj dhe Qato.

Mezani aktivizoi të gjithë futbollistët që kishte në dispozicion dhe në prag të ndeshjes me Kastriotin, situata në skuadër është e mirë.

Pritet që trajneri të ketë një grup të plotë lojtarësh, edhe pse disa prej tyre kanë pasur probleme fizike, por që koha ka qenë e mjaftueshme për rikuperimin.

I vetmi futbollist që prej gati tre muajsh është jashtë fushës për shkak të një dëmtimi të rëndë është mbrojtësi Albi Alla, i cili ka vijuar terapinë e riaftësimit në Greqi këtë periudhë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"