Laçi kërkon mbrojtës dhe sulmues, Vukiçeviç bën prova ndaj Luzit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2022 | 17:54

Laçi kërkon mbrojtës dhe sulmues, Vukiçeviç bën prova ndaj Luzit

Tronditja që shkaktoi eliminimi nga turi i dytë i Ligës së Konferencës sikur është harruar tashmë te Laçi. Emërimi i trajnerit Dejan Vukiçeviç dhe nisja e përgatitjeve nën drejtimin e malazezit, ka bërë që në skuadër të mos mendojnë më për atë që kanë lënë pas, por të përgatiten sa më mirë në prag të startit të kampionat.

Trajneri i Laçit, Vukiçeviç logo

Ndeshjen e parë kurbinasit do ta luajnë në shtëpi ndaj Teutës dhe Vukiçeviç kërkon ta nisë më një fitore. Për të parë gjendjen e grupit pas pak ditëve stërvitje nën drejtimin e malazezit, klubi ka zgjedhur një kundërshtar modest për të luajtur miqësore. Bëhet fjalë për Luzin, që këtë sezon do të luajë për herë të parë në Kategorinë e Parë.

Klubi ka njoftuar se të mërkurën në orën 17:00, në aneksin e stadiumit të Laçit, aty ku po stërviten bardhezinjtë prej ditësh, do të zhvillohet testi me Luzin. Vukiçeviç do të shikojë për herë të parë në kushte loje edhe afrimet e kësaj vere, pikërisht emra si Luka Cucin, Majkëll Babatunde, Jon Vula, Ortelio Biba, Mario Barjamaj, Segerso Geci, Klajdi Kuka, Isi Manellari, Nikolin Duka dhe Ariel Borisyuk. Njëkohësisht drejtuesit janë vënë në kërkim të dy qendërmbrojtësve dhe dy sulmuesve, por ende nuk po konkretizojnë, duke hasur jo pak vështirësi në këtë moment.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"