Laçi-Kastrioti, sfida nis që në kompleksin stërvitor, por në dy ditët e fundit…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2021 | 21:58

Laçi-Kastrioti, sfida nis që në kompleksin stërvitor, por në dy ditët e fundit…

Kastrioti ka lënë pas disfatën me Partizanin dhe dje ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës, të cilën do ta zhvillojë në transfertë ndaj Laçit të shtunën në orën 13:00. Për këtë përballje, ndryshe nga ajo me të kuqtë, krutanët do të kenë një skuadër më të plotë, pasi rikthehen disa lojtarë. Bëhet fjalë për qendërmbrojtësit Silvestër Shkalla dhe Edi Bojom, si dhe lojtari i krahut të majtë, Indrit Prodani.

kastrioti laci

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Henri Okebugun, edhe pse ende nuk është në formën optimale. Forcë më shumë, ka gjasë të jenë edhe dy mesfushorët e rikthyer së fundmi në skuadër, Arbër Basha dhe Abaz Karakaçi, të cilët janë stërvitur normalisht me grupin gjatë këtyre ditëve. Laçi-Kastrioti është një përballje që ka prodhuar rezultate interesante në dy fazat e para. Krutanët janë skuadra që u kanë marrë katër pikë kurbinasve, pasi barazuan 1-1 në ndeshjen e parë të zhvilluar në Laç dhe arritën të fitonin 1-0 takimin e luajtur në fazën e dytë në Kamzë, ku vendosi goli i mbrojtësit Prodani.

STËRVITJA – Mungesa e komplekseve të klubeve në qytetet e tyre, i detyron skuadrat që të stërviten në fushat afër kryeqytetit. Edhe Kastrioti e Laçi stërviten në të njëjtin kompleks, atë të Kamzës. Ka ndodhur shpesh që skuadrat kanë kryer stërvitje paralelisht, njëra në fushën e parë dhe tjetra në të dytën. Mirëpo, këtë javë duket se skuadrat kanë shmangur ballafaqimin në terren, duke “fshehur” në një farë mënyre skemat. Kësisoj, në dy ditët e para të javës, kurbinasit e kanë kryer stërvitjen në një orar shumë të hershëm, që në 11:00, ndërsa krutanët kanë ndjekur orarin e zakonshëm, 13:30.

BUJAR BALLIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"