Laçi i plotë para Partizanit, fitorja ilaç për të larguar krizën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2019 | 15:25

Laçi i plotë para Partizanit, fitorja ilaç për të larguar krizën

Ndërprerja e kampionatit për shkak të angazhimeve të ekipeve kombëtare i ka vlejtur Laçit, pasi starti ka qenë i hidhur për kurbinasit. Në 270 minutat e para të kampionatit, skuadra e drejtuar nga trajneri Sulejman Starova ka qenë jashtë pritshmërive, pasi bëhet fjalë për një ekip që zakonisht gjatë merkatove godet në afrime lojtarësh dhe që synon çdo vit përfaqësimin në Europë.

laci

Pushimi i ka shërbyer trajnerit Starova për të konsoliduar më shumë skuadrën, aq më shumë që i pret një ndeshje mjaft e vështirë, ku në fundjavë presin Partizanin. Gjatë këtyre ditëve janë shtuar alternativat në sulm, pasi me skuadrën është bashkuar Stenio Garcia Dutra.

Braziliani u aktivizua në miqësoren e fundit ndaj Apolonisë, por për aktivizimin e 25-vjeçarit në ndeshjen me Partizanin do të vendoset në  ditët në vijim, ku trajneri Starova dhe stafi do të kenë një ide më të qartë rreth sulmuesit. Një forcë e shtuar për kurbinasit për këtë sfidë të javës së katërt është edhe gatishmëria e një tjetër braziliani, i cili ndonëse stërvitet prej dy muajsh me bardhezinjtë, akoma nuk ka debutuar në kampionat. Teldiano Guimaresh ose, siç njihet ndryshe Teko, i ka kaluar penalizimet e mbartura dhe problemet shëndetësore, kështu që është gati të kontribuojë për kurbinasit për këtë fundjavë.

laci

Sot Laçi shton radhët në stërvitje edhe me dy lojtarë të tjerë, Redon Xhixha dhe Julian Shehu, të cilët kanë qenë të angazhuar me Kombëtaren U-21. Bëhet fjalë për dy futbollistë titullarë, që dje luajtën nga një pjesë loje me Shpresën në ndeshjen ndaj Austri U-21, takim i cili u fitua nga austriakët me rezultatin e thellë 4-0.

Julian Shehu e nisi si titullar, por në fillimin e pjesës së dytë u zëvendësua, ndërsa Redon Xhixha u aktivizua nga trajneri Alban Bushi në fillimin e pjesës së dytë. Ndaj, duke nisur nga sot, trajneri Starova e ka të plotë grupin në stërvitje dhe puna do të përqendrohet për sigurimin e fitores së parë në kampionat. Trepikëshi shikohet si ilaçi i vetëm për kurbinasit për të mos e thelluar më tej krizën e rezultateve.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"