Laçi hedh sytë nga tregu afrikan për përforcimet e merkatos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 21, 2017 | 11:05

Laçi hedh sytë nga tregu afrikan për përforcimet e merkatos

Pavarësisht se skuadra është pushim, drejtuesit e skuadrës së Laçit janë duke menduar për përforcime, të cilat do të vijnë nga jashtë vendit. Klubi është i shqetësuar për një sulmues, repart i cili ka mbetur pothuajse i boshatisur nga largimet e fundit, ndërkohë që do të ketë edhe futbollistë nga kampionati ynë.

Laci tifozet

Por, ajo që mësohet është se drejtuesit kanë arritur akordin me një mesfushor nigerian mjaft cilësor, i cili pritet të vijë në ditët në vijim në vendin tonë, duke qenë se aktualisht po pret procedurën e pajisjes me vizë. Emri i tij nuk bëhet me dije, duke qenë se klubi dëshiron që më parë ai të mbërrijë në Shqipëri, por lojtari në fjalë parashikohet të bëjë diferencën në lojën e skuadrës.

Gjatë ditëve të fundit, kontaktet me menaxherë të ndryshëm kanë qenë intensive dhe shumë shpejt do të ketë edhe konkretizime. Por, më parë, kurbinasit do të zyrtarizojnë trajnerin Nica në krye të ekipit. Ky i fundit bëri një punë mjaft të mirë në fund të sezonit të shkuar duke siguruar mbijetesën me skuadrën që kishte në dispozicion.

Nga ai ekip ka mbetur vetëm një numër i vogël lojtarësh. Një pjesë janë larguar, ndërsa një pjesë tjetër nuk ishin më në planet e drejtuesve për sezonin e ri futbollistik. Gjatë ditëve të ardhshme, klubi do të bëjë me dije edhe datën e nisjes së seancave stërvitore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"