“Laçi është një rival direkt”, Martini: Rivalët? Që në fillim të kampionatit jemi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2021 | 15:33

“Laçi është një rival direkt”, Martini: Rivalët? Që në fillim të kampionatit jemi…

Teuta nesër do të presë në stadiumin “Niko Dovana” skuadrën e Laçit e cila është e programuar të zhvillohet me fillim nga ora 16:00. Në vigjilje të kësaj supersfide trajneri i durrsakëve Edi Martini ka dalë në konferencë për shtyp për të folur për këtë ndeshje:

EDI MARTINI

Ndeshja dhe grupi – “Rëndësia është e madhe, jemi dy skuadra që pretendojmë të marrim trofeun. Ndeshja është shumë e fortë. Jemi përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme. Me përjashtim të Kuros që ka pësuar një dëmtim dhe Grudës që nuk është pjesë e skuadrës këtë javë, pjesa tjetër është ok. Jemi stërvitur mirë, dëshira është e madhe dhe të gjithë mezi po presim ndeshjen. Djemtë i kanë të gjitha mundësitë, jam shumë i gëzuar për faktin që kanë bërë një stërvitje mjaft të mirë. Kanë entuziazëm në stërvitje, gjë që më bën të besoj se nesër mund t’ia dalim. Ne kemi lojtarë mjaft të mirë në fazën ofensive. Jam i bindur që në çdo moment të ndeshjes munden të bëjnë dëm.”

Realizimi dhe kampionati – “Kam besim absolut te këta djem. Nesër duhet të jenë të gatshëm, të qartë dhe të qetë përpara portës, që është më kryesorja. Shpresoj të shënojmë, por nuk ka rëndësi se kush shënon, një mbrojtës apo mesfushor. Jemi në fazat e fundit të kampionatit, po shkojmë drejt fundit. E rëndësishme është fitorja, nuk ka rëndësi kush shënon.”

Laçi – “Sfida me Laçin është e rëndësishme, është një ndeshje ndaj një rivali direkt. Diferenca është vetëm një pikë. Normalisht që është një ndeshje delikate, ku një fitore e jona do na bënte shumë punë për të ecur drejt kreut. Janë edhe dhjetë ndeshje të tjera, por duke pasur parasysh që është rivali direkt, merr një rëndësi të madhe.”

Ndeshja e Kupës – “Jam shumë i fokusuar te ndeshja e nesërme, problemi i fundit është ndeshja e Kupës. Pas dy javësh që do të jetë ajo ndeshje, kemi kohë të bisedojmë, por e rëndësishme është ndeshja e nesërme.”

Krasniqi – “Kam besim te Krasniqi, është një djalë që ka forcë të jashtëzakonshme, është një lojtar potent. Nuk ka shënuar shumë gola, kjo shihet qartë, megjithatë kam besim në çdo moment se do të shënojë, pse jo edhe në ndeshje delikate. Ndaj Partizanit shënoi një gol shumë të bukur në barazimin 1-1, shpresoj, mendoj dhe kam besimin se nesër do arrijë të shënojë.”

Rivalët – “Ne jemi që në fillim të kampionatit në ndjekje të Vllaznisë, Laçit apo Partizanit. Kemi bërë jo shumë mirë. Kemi pasur mundësi të bëjmë edhe më mirë, por më mirë është ta ndjekësh kundërshtarin deri në fund të kampionatit dhe ta kalosh në finish, se sa ta mbash dhe ta lëshosh vendin e parë.”

Laçi apo Vllaznia në finale – “Është data shumë vonë, jam i fokusuar totalisht te ndeshja e nesërme dhe nuk kam qejf të deklaroj gjëra të tjera.”

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"