Laçi e nis me trajner të ri sezonin 2022-23, ja kush është favoriti kryesor mes kandidatëve për stolin kurbinas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2022 | 22:56

Laçi e nis me trajner të ri sezonin 2022-23, ja kush është favoriti kryesor mes kandidatëve për stolin kurbinas

Laçi është i destinu ar t’i nënshtrohet një revolucioni të shpejtë në ekip në prag të fillimit të sezonit të ri në Kategorinë Superiore. Pas eliminimit në turin e dytë të Ligës së Konferencës nga moldavët e Petrokubit, “hemorragjia” ka qenë e dukshme në kampin kurbinas, ku bën pjesë edhe trajneri Shpëtim Duro.

LACI

Pas shkarkim-dorëheqjes së Duros Laçi ka mbetur pa trajner dhe në këto kushte drejtuesit kurbinas kanë nisur bisedimet me disa trajnerë të paangazhuar për të marrë drejtimin e skuadrës. Bledar Devolli, Edi Martini, Bledi Shkëmbi janë disa nga emrat e lakuar, por duket se favorit për të marrë drejtimin e Laçit është Gentian Mezani. Vlonjati ka qenë edhe më herët trajner i kurbinasve, ndaj gjasat janë që 46-vjeçari do të nisë aventurën dytë në krye të bardhezinjve.

Mezani e ka drejtuar Laçin nga 31 tetori i 2017-ës deri më 1 qershor 2018, ku u largua nga kurbinasit pas humbjes së finales së Kupës së Shqipërisë ndaj Skënderbeut.

Gentian-Mezani

Mezani e njeh mirë ambientin dhe mentalitetin e klubit kurbinas, ndaj pritet që vlonjati të veshë sërish “tutat” duke iu kthyer trajningut, që i mungon që nga nëntori i 2020-s ku u largua nga radhët e kosovarëve të Gjilanit.

Gjithsesi, mbetet për t’u parë se çfarë rrjedhe do të marrin bisedimet, ku nuk përjashtohet mundësia për ndonjë vendim surprizë nga drejtuesit e klubit.

Në sezonin e shkuar Laçi u drejtua nga katër trajnerë. Sezoni nisi me malazezin Dejan Vukiçevic, më pas një ndeshje e drejtoi Sero Noka, për të vijuar me Mirel Josën, që stafetën ia la Shpëtim Duros.

Përpos peripecive në start, Laçi e mbylli sezonin e shkuar si nënkampion dhe finalist i Kupës së Shqipërisë, ku trofeun ia “rrëmbeu” Vllaznia në kohë shtesë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"