Laçi e ka gjetur frymëzuesin, sulmuesi nga Mozambiku gati të ndëshkojë edhe Lushnjën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2018 | 18:57

Laçi e ka gjetur frymëzuesin, sulmuesi nga Mozambiku gati të ndëshkojë edhe Lushnjën

Tri gola në një ndeshje, një rekord për sulmuesin nga Mozambiku të Laçit, Arturo Rexhinaldo. I pikasur nga Luftëtari në verën e vitit 2016, por i konsideruar si një sulmues krahu, Rexhinaldo shumë shpejt u kthye në një pykë falë nuhatjes së trajnerit serb, Mlladen Milinkoviç. Pasi luajti një sezon në Gjirokastër dhe shënoi tetë gola në Superiore, Rexhinaldo u transferua te Laçi.

rexhinaldooo

Tashmë sulmuesi që ka arritur të luajë edhe në Superligën portugeze me Nacional, po kalon një moment të shkëlqyer. 11 gola pas 24 javësh dhe në garë për “Këpucën e Artë”. Tripleta ndaj Flamurtarit, pavarësisht polemikave për vendimet e arbitrit, nuk e zbehu shkëlqimin e mozambikasit. “Kjo ditë do të shënohet përgjithmonë në jetën time dhe sigurisht në karrierën time. Kam bërë tri gola dhe është hera e parë që më ndodh brenda një ndeshjeje në karrierën e deritanishme”, ka thënë Rexhinaldo pas ndeshjes.

Tashmë Laçi frymëzohet nga forma e sulmuesit, i cili është gati të ndëshkojë edhe Lushnjën në takimin e nesërm. Kurbinasit nuk do të kenë të gatshëm kapitenin Sefgjinaj për shkak kartonësh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"