Laçi e do festë me Tiranën, një tjetër futbollist largohet nga kurbinasit
Humbja në minutat e fundit në Ballsh ka zhgënjyer jo pak ekipin bardhezi, por ditët kalojnë shpejt dhe e gjithë vëmendja e stafit teknik pas atij takimi ndaj Bylisit ka qenë fokusimi te sfida e sotme ndaj Tiranës.
Laçi pret bardheblutë në orën 13:00, në ndeshjen e fundit për këtë vit, që kurbinasit duan me patjetër ta mbyllin me një fitore. “Kemi respekt për Tiranën, por siç ajo vjen nga dy fitore, edhe ne e kemi moralin maksimalisht të lartë. Duhet që ndaj Tiranës të shkarkojmë bateritë për ta mbyllur si duhet këtë vit dhe pres nga djemtë që të bëjnë më të mirën për të marrë 3 pikët”, ka deklaruar trajneri Cungu para sfidës me bardheblutë.
Në rastin më të mirë, triumfi ndaj Tiranës mund t’i çonte në vendin e dytë bardhezinjtë, gjithnjë nëse Bylisi ndalet sot nga Luftëtari. Megjithatë, rëndësi kanë tri pikët dhe të besuarit e Armando Cungut e kanë të qartë sot se duhet një sforco e fundit për të mbyllur javën e 17-të në mënyrën më të mirë. Skuadra është më e plotë se në ndeshjen e fundit në Ballsh, pasi rikthehet nga pezullimi edhe mesfushori Juljan Shehu.
Cungu pritet të rreshtojë formacionin ideal, që ka rezultuar i suksesshëm deri më tani, pikërisht me skemën 4-3-3, ku Stazhilla do të jetë në portë, ndërsa Fangaj, Ignjatoviç, Gjoni dhe Domgjoni do të luajnë në mbrojtje. Në mesfushë do të luajë treshja Shehu, Deliu dhe Lushkja, me këtë të fundit disi më të spostuar drejt sulmit. Ndërsa treshja ofensive do të jetë me Tekon dhe Xhixhën nga krahët, si dhe golashënuesin më të mirë, Nuabueze, në majë të sulmit.
SKARCIMET
Shkon në shtatë numri i lojtarëve të larguar para kohe nga Laçi në prag të hapjes së merkatos. Pas Damian Gjinit, Stenio Xhuniorit, Elvi Berishës, Aleksandro Zaimit, Renato Spahiut dhe Flosard Malçit, dje ka prishur kontratën me klubin kurbinas edhe mesfushori Erlis Ymeri. Ky i fundit ka luajtur në sezonet e kaluara në Kategorinë Superiore me Kamzën dhe Kastriotin.
Në verën e këtij viti u bë pjesë e kurbinasve, por luajti vetëm pesë ndeshje dhe asnjëherë titullar. Kësisoj, palët janë ndarë me mirëkuptim. Pas largimeve të shumta, Laçi do të vuajë edhe në ndeshjen e sotme mungesën e alternativave në stol. Trajneri Cungu pritet të grumbullojë disa lojtarë nga të rinjtë, që nuk kanë luajtur asnjëherë këtë sezon me kurbinasit.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"