Laçi do vendin e parë, Shpëtim Duro: Kampionat surprizash, ia dalim ndaj Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2021 | 10:25

Laçi do vendin e parë, Shpëtim Duro: Kampionat surprizash, ia dalim ndaj Skënderbeut

Në javët kur pretendentet ndalen, është momenti që Laçi të bëjë hapin rëndësishëm për të tentuar kreun. Mirëpo, eksperienca e gjatë në elitën e futbollit shqiptar, nuk e bën aspak euforik trajnerin Shpëtim Duro. Për “Panorama Sport”, në vigjilje të transfertës korçare, në të cilën ka triumfuar me Skënderbeun duke i hapur udhë hegjemonisë në futbollin shqiptar, Shpëtim Duro deklaron se do të kërkojë maksimumin, por me respekt maksimal për kundërshtarin. Ndër të tjera, Duro thotë se ky kampionat do të ketë surpriza, ndërsa për derbin me diplomaci tregon pjesën standarde: Është i paparashikueshëm.

Shpetim Duro

A ju vjen keq që s’përfituat nga java pasi rivalët bënë hapa falsë?

Më erdhi shumë keq që ne nuk fituam. Megjithatë, e kam thënë që në fillim që kam qenë i gëzuar sepse futbolli është i tillë.

Skënderbeu ju ka hapur punë në fazën e dytë, çfarë ndeshjeje prisni?

Kemi pasur dominim total, por fati i keq bëri që ajo ndeshje të mos përfundonte siç donim. Duhet të kemi parasysh faktin që kampionati është në fazë interesante dhe të gjithë skuadrat kanë objektivat be veta. Ne duhet të shikojmë vetëm punën tonë, rrugën tonë dhe pikët tona sepse ju e shikoni që në çdo javë, jo vetëm ne por ka gabime nga të gjithë skuadrat kryesuese si: Partizani, Vllaznia, Teuta… Pra nuk është e lehtë sepse edhe diferencat në futboll nuk janë në nivele të larta. Kështu që çdo ndeshje kërkon përqendrim maksimal. Edhe Skënderbeu, pavarësisht pozicionit. Të cilit sipas meje, ia vështirëson akoma më shumë punën fitorja e Bylisit. Është një skuadër me lojtarë shumë të mirë dhe të talentuar. E ka treguar edhe në ndeshjen e fundit ndaj Partizanit, duke fituar totalisht me meritë.

Besoni se kjo mund të jetë java e Laçit?

Nuk merrem me këtë. Për mua, e rëndësishme është të arrijmë objektivin në fund të kampionatit. Do të shikojmë se do të ketë surpriza siç ka qenë këto javë nga çdo skuadër. Jua them me bindje.

Keni ndonjë dëmtim apo mungesë dhe çfarë do të bëhet me Nuabuezen?

Është e vërtetë që kemi pasur mungesa të lojtarëve kryesorë, si Nuabueze, Mazrekaj, Xhixha. Janë mungesa të konsiderueshme. Edhe këtë ndeshje do të mungojnë Nuabueze dhe Xhixha në sulm. Mazrekaj nuk është ende në 100% të formës së tij. Ramos me kartonë dhe Turkaj… Pra mungesat i kemi pasur vazhdimisht këto javë. E rëndësishme është që skuadra ka shkuar mirë deri në këto momente. Shpresoj që në javët në vazhdim, skuadra të kompletohet.

Duro

Si e parashikoni derbin Tirana-Partizani?

Derbi është i paparashikueshëm. Sidomos kur luajnë Partizani dhe Tirana. Unë them që është ndeshje, në të cilën janë të mundura të 3 rezultatet.

A do të ishte dështim nëse nuk merrni pikët e plota në Korçë?

Nuk e quaj asnjëherë dështim. Në futboll nuk ka dështim sepse nuk mund të quhet dështim loja me Apoloninë. Për sa u përket pikëve, nuk ke çfarë t’i thuash skuadrës kur luan shkëlqyeshëm për 90 minuta. Janë edhe çështje të fatit aksidental të futbollit.

Si pritet Laçi në këtë ndeshje?

Ne do të mundohemi që të marrim maksimumin në Korçë, duke e respektuar Skënderbeun. E rëndësishme është që duhet të luhet në fushën e lojës futboll. Pastaj kush ta meritojë, le të fitojë. Kampionati është i gjatë. Do të jetë luftë deri në momentet e fundit dhe do të ketë surpriza.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"