Laçi, akord me fantazistin Albi Dosti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2016 | 13:58

Laçi, akord me fantazistin Albi Dosti

Albi Dosti është pranë marrëveshjes me Laçin. Burime të sigurta pranë klubit kurbinas kanë bërë me dije për gazetën “Panorama Sport” se mesfushori durrsak është preferencë e Stavri Nicës.

Albi Dosti

Palët janë ulur në bisedime dhe në parim mësohet se është arritur marrëveshja, megjithatë, përderisa mungon firma në kontratë mes palëve, Dosti ende nuk mund të quhet një futbollist i kurbinasve. Mesfushori, vetëm para pak ditësh ishte pjesë e Teutës ku edhe kreu disa ditë përgatitje, por në fund nuk u gjend një akord mes palëve.

Stavri Nica

Dje ka nisur java që do t’i dërgojë laçianët në takimin e parë për këtë vit kalendarik. Është ndeshja e parë e Kupës së Shqipërisë, e cila është parashikuar të luhet të shtunën pasdite në Laç. Tekniku nuk shquhet për lëvdata ndaj të tijve, mirëpo pas testit të fundit, Nica i falënderoi lojtarët dhe i uroi për paraqitjen e shkëlqyer. Kjo, siç duket, ka qenë shtysa pse tekniku e nisi seancën e djeshme me fjalët:

“Nuk ka më miqësore dhe argëtim në fushë. Tani vjen momenti i së vërtetës dhe të gjithë lipset që të përveshni mëngët për të kryer më së miri detyrat. Do të startojmë sot dhe deri të premten askush s’do mund të kërkojë paqe. Ndeshja e parë e Kupës mbetet vendimtare për ecurinë në këtë kompeticion. Nëse duam kualifikimin, kërkohet impenjim maksimal”, u tha tekniku futbollistëve. Sakaq, grupi dje ishte thuajse i plotë. Mustafa me probleme, por me mundësi rikuperimi gjatë javës. Të tjerët totalisht në gjendje optimale. Një mundësi e artë për teknikun dhe ndihmësit e tij për të bërë zgjedhjet e duhura. Për ndeshjen e së shtunës, ka ende kohë, por pas sfidës miqësore me krutanët, duket se kreu i stolit kurbinas ka projektuar mjaft nga elementët që do t’i hedhë në fushë me statusin e titullarit.

“Si pa u kuptuar ikën disa javë në terren. Jam i kënaqur me lojtarët dhe gjendjen që ata pasqyrojnë në terren. Minifaza na ka dhënë mundësi të riparojmë shumëçka nga fiziku dhe kontakti me topin, ka rezultuar se djemtë e kanë asimiluar më së miri programin. Skuadra nevojitet që t’i bëjë mirë detyrat gjatë javës. Ndaj Partizanit, nuk do të jetë e lehtë. Sigurisht nëse duam të kalojmë, do na duhet shumë mund. Të shohim se si do operojmë deri në fundjavë. Kam disa pikëpyetje të vogla, pasi, me kontingjentin që kam, zgjedhjet marrin përparësi”, u shpreh tekniku dje pas seancës stërvitore.

Përgatiti: Isuf Myrtaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"