Laboratori i Sarrit, ja pse Juventusi nuk njeh humbje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2019 | 12:19

Laboratori i Sarrit, ja pse Juventusi nuk njeh humbje

Asnjë trajner nuk e kishte nisur kaq mirë në pankinën e Juventusit. Pas 16 ndeshjes, mes Serisë A dhe Championsit, me 13 fitore dhe 3 barazime, Mauricio Sarri mori një fitore në distancë kundrejt Fabio Kapelos (mbante rekordin e startit më të mirë historik me torinezët) dhe u ul i vetëm në fronin e më të mirëve. Si një prej personave më të dashuruar me futbollin, sigurisht që brenda vetes do t’i ketë kaluar ndonjë drithërimë sado e vogël, teksa e ka parë që të mundë përveç Kapelos edhe legjenda të tjera si Trapatoni, Karkano apo Lipi, por mbi të gjitha nuk kërkon të ndalet këtu.mauricio sarri

Fundja, siç e ka prezantuar edhe ai veten, Sarri është një pragmatist, ndaj futbolli i tij për momentin i ngjason më shumë një proze sesa poezisë, pasi për të arritur tek ajo që ai kërkon, “ka ende shumë gjëra për të përmirësuar”. Kjo frazë e fundit, e përmendur shpesh nga ana e tij, duket si një besëtytni, por në të vërtetë është thënë me sinqeritet të plotë, duke parë edhe revolucionin e madh që ai po dërgon përpara, prej pak muajsh. Kryefjala e tij është “planifikim” dhe Sarri është një besnik i saj, madje një person me të cilin nuk mund të bësh kompromise mbi këtë aspekt. Sepse jo më kot, në vitin 2007, teza e masterit të tij në Koverçano titullohej “Përgatitja javore e ndeshjes”, një leksion dhe ide inovative, e përshëndetur me notat maksimale. Në brendësi të saj, Sarri shpjegon: “Unë mendoj se në një futboll gjithmonë e më shumë të përgatitur nga aspektet fizike e taktike, është jetësore të analizosh dhe të vlerësosh të gjithë ndeshjet teke, deri në detajet më të parëndësishme në dukje”. Dhe ndoshta për këtë arsye, që ai planifikon punën e përditshme me shumë diktaturë, madje duke llogaritur edhe minutë pas minute se si duhet të punojë një futbollist i tij.

VETËM 23 MINUTA Këtë ves prej mësuesi të futbollit të bukur dhe detajist, ai e ka marrë me vete edhe te Juventusi, por ndoshta Sarri është edhe më maniak se të tjerët. Është e vërtetë që çdo trajner e ndan stërvitjen në pjesë të ndryshme, por Mauricio çdo pjese të veçantë të seancës i ka vënë edhe një minutazh të caktuar, i cili duhet respektuar me rigorozitet, si për shembull: Nëse stërvitja për zotërimin e topit ka një minutazh prej 23 minutash, në të 23-ën ekzaktësisht, topi nuk duhet të preket më nga asnjë prej lojtarëve.sarri

“MATEMATICIEN” Sigurisht që diçka e tillë konfirmon se Sarri është një person i dashuruar edhe pas numrave. Madje, mund të flitet edhe për një ves, pasi ka raste ku më shumë sesa një trajner futbolli, ai i ngjason një mësuesi matematike, duke qenë në kontakt me qindra apo mijëra numra, pas çdo seance të plotë stërvitore. Pasi të gjithë lojtarët shkojnë në mensë apo largohen nga qendra stërvitore, 60-vjeçari afron tavllën, të paktën dy paketa cigare e një çakmak dhe nis të shikojë, e më pas të analizojë me detaje të gjitha shifrat dhe parametrat fiziologjikë të lojtarëve të tij. Tjetër aspekt i veçantë i metodës “Sarri” është që në çdo stërvitje, i gjithë stafi mjekësor jo vetëm që duhet të jetë prezent anash fushës, por ata duhet të jenë edhe specialistë të teknologjisë moderne.

Jo më kot ai urdhëron që çdo lojtari t’i vendosën GPS-ët, të cilët grumbullojnë të gjitha të dhënat fizike mbi lojtarët, pas të cilave trajneri i Juventusit kupton gjendjen e tyre. Në këto parametra hyjnë lodhja; sa gramë mund të ketë humbur gjatë stërvitjes; sa gramë mund të ketë shtuar një futbollist nga dita në ditë; shpejtësia me topin në këmbë; shpejtësia e sprintit nga vendi; reaktiviteti e për të mos folur pastaj për parametrat e tjerë “banalë” si shpeshtësia e rrahjes së zemrës… Të gjithë këto të dhëna, stafi mjekësor i përpunon në klinikën “JMEdical” dhe më pas i dërgohen trajnerit, i cili duke parë të gjithë numrat, nis të vendosë se cili prej lojtarëve ka nevojë për ndonjë pushim të mundshëm, kush është gati të luajë, apo të paraprijë edhe se cili prej tyre mund të rrezikojë ndonjë dëmtim të mundshëm.

TAKTIKË “AJRORE” Nën aspekti taktik, analiza është më klasike. Rikardo Shirea, analisti i ndeshjes, ndjek çdo sekondë qoftë stërvitjet, ashtu sikurse edhe ndeshjet. Pikësëpari kërkon të dhënat e GPS-it, të vendosur brenda bluzave të çdo futbollisti, ndërsa më pas merr edhe pamjet që sjellin kamerat e dronëve, apo edhe të kamerave strategjike, në fushën e lojës. Ndërsa ndeshjet analizohen me një telekamerë specifike, të vendosur më së shpeshti në tribunën e medias, e cila kap të gjithë pamjen e fushës, nga lart. Në këtë mënyrë, Mauricio Sarri ka të gjithë parametrat numerikë të regjistruar nga Shirea në një tablet dhe që më pas ruhen në një kompjuter, në të cilin bëjnë pjesë sprintet, pasimet, topologjia e lojës, lëvizjet, goditjet dhe krosimet që çdo lojtar ka bërë. Në të njëjtën kohë, trajneri bardhezi mund të gjejë edhe përplasje të videove e analizave numerike.juventus de lig

Arsyeja e të gjithë kësaj? Shumë e thjeshtë, 60-vjeçari dhe stafi i tij studiojnë lojën, për të kuptuar shkaqet që mund të sjellë një pasim i gabuar për shembull, i cili më pas u shpjegohet lojtarëve në analizat taktike me video, por që edhe në këtë rast zgjasin ekzaktësisht 30 minuta, asnjë sekondë më shumë. Kështu, edhe vetë Sarri, nga ndeshja në ndeshje kupton se cili prej futbollistëve të tij e ka marrë të qartë mesazhin e analizës, apo e anasjella. Sepse me një maniak si Sarri, një pasim i gabuar, pasi është shpjeguar, për dy ndeshje me radhë, mund të të kushtojë edhe stolin. Shkurt dhe qartë, Juventusi është shndërruar në një laborator statistikash dhe analizash, një qendër e monitoruar me GPS dhe me video, për të marrë maksimumin nga lojtarët e tij dhe për të përmirësuar nivelin e cilësisë së lojës. Dhe ndoshta, falë kësaj metodologjie të re të Sarrit, pikërisht Juventusi, të paktën deri në këtë pjesë të sezonit, është e vetmja skuadër në të gjithë kontinentin e vjetër, e cila nuk ka humbur asnjë ndeshje.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"