“Labëria për prestigj”, trajneri Rustemi: Nuk trembemi nga shkodranët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2021 | 14:54

“Labëria për prestigj”, trajneri Rustemi: Nuk trembemi nga shkodranët

Labëria luan sot përballë Vllaznisë një ndeshje prestigji. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri Arlind Rustemi thotë se nuk e ka objektiv Kupën e Shqipërisë. Megjithatë, ai thekson se skuadra e tij do të hyjë në fushë pa presion dhe pa u trembur nga emri i Vllaznisë.

Rustemi Laberia

“Më tepër, ndeshja me Vllazninë do të jetë një ndeshje prestigji. Do ta vlerësojmë maksimalisht për nivelin e skuadrës. Do të japim më të mirën, por e them hapur që nuk kemi pretendime. Do të kemi një formacion të plotë, pasi duam që të kolaudojmë skuadrën. Do të luajmë pa ndrojtje dhe pa ulur pjesën e diferencës që kanë dy skuadrat.

Nuk i trembemi emrit të Vllaznisë”, thotë Rustemi. Sipas trajnerit të Labërisë, fitorja në ndeshjen paraeliminatore me Devollin ishte një test i mirë. “Të jem i sinqertë nuk pretendojmë shumë në Kupën e Shqipërisë. Në ndeshjen e radhës kemi një kundërshtar shumë të vështirë si Vllaznia.

Laberia

Ne jemi një skuadër e vogël dhe më tepër për ne do të jetë një ndeshje prestigji, siç e thashë edhe më lart. Për ne fitorja me Devollin ishte e rëndësishme për të ardhur në këtë ndeshje, por edhe një test i mirë përpara fillimit të kampionatit dhe kundër një rivali që e kemi kundërshtar në luftën për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë”, përfundon Rustemi. Pritet që sot përballë Vllaznisë, ekipi i Rustemit të jetë i plotë. Duke qenë një kundërshtar i fortë, atëherë pritet testimi i të gjithë lojtarëve të formacionit.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"