La stadiumin në pjesën e dytë, Bizhdili komenton disfatën ndaj Shënkollit: Jam i shokuar, më erdhi turp

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2019 | 16:34

La stadiumin në pjesën e dytë, Bizhdili komenton disfatën ndaj Shënkollit: Jam i shokuar, më erdhi turp

Besa, një ekip me histori dhe traditë, u tur përua të shtunën nga një ekip i krijuar vetëm pak vite më parë si Shënkolli. Me gjithë respektin për këtë ekip, për kavajasit është e papranueshme ajo paraqite në stadiumin e Peqinit. Shënkolli i hodhi në tapet verdhezinjtë, duke i çmontuar në 45 minutat e para me 3 gola.

Bizhdili-2

BIZHDILI – Presidenti Nexhat Bizhdili u ndje shumë keq në tribunë dhe la stadiumin në pjesën e dytë. “Jam i shokuar nga rezultati i pjesës së parë. Ju kishit shkruar në gazetë për analizën që bëmë me ekipin, ku unë kisha kritika për barazimin në Fushë-Krujë, por as që e mendoja se mund të pësonim një humbje të tillë.

Presidenti reagon kur ekipi nuk bën atë që duhet. Duke parë moshën e re të ekipit, afrova lojtarë me përvojë nga Superiorja si Beqiri, Zefi, Xhafa e braziliani Gonçalves, duke besuar se ata do të udhëheqin Besën. Mendova se bashkë me Çelhakën, Perjen, Ndraxhin, Shimajn, Shaqen, Carën e Onuh do të përbënin një ekip të denjë, por jo. S’mund të marrim Muzakën, Telushin apo Abazajn, bie fjala, për të luajtur ndaj Turbinës, Shënkollit dhe Ilirisë. Më shumë turp më erdhi mua se lojtarëve në fushë për atë pjesë të parë.

Nexhat-Bizhdili-470x334

Edhe tani nuk di çfarë emri t’i vendos asaj që ndodhi. Magani thotë përgjegjësinë e merr ai, sepse bëri ndryshime në formacion, por kjo nuk e justifikon humbjen. Ekipi ishte i ngrirë, nga portieri te sulmuesi. Nuk e kuptova si mund të shndërrohet një grup ashtu brenda 45 minutash.

Në pjesën e dytë, aq sa pashë, ishte një ekip tjetër dhe nuk besoj se vetëm futja e Onuh e ndryshoi Besën. Shkova tek ekipi pas pjesës së parë, por nuk bërtita, thjesht shpreha çudinë për atë që po ndodhte. Reagoi Besa me 2 gola, por kujt i vlen? Atë 0-3 të pjesës së parë me Shënkollin nuk e kompenson as një fitore 3-0 me Partizanin. Ishte një turp që do kujtohet gjatë. Do të ndalem gjatë javës për të mësuar çfarë ndodhi. Jam pa fjalë, nuk di si ta shpjegoj”, ka përfunduar Bizhdili.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"