La Rodosin për Ballshin, Ymeralilaj: Te Bylisi rikthehem në Europë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2019 | 18:25

La Rodosin për Ballshin, Ymeralilaj: Te Bylisi rikthehem në Europë

Këtë sezon ka rënë në sy aktivizimi në linjën e djathtë të Franci Ymeralilajt, ballshiotit që ka ardhur si kapiten nga Rodosi.

franc ymeralilaj

Tashmë që faza e parë është mbyllur, Ymeralilaj është optimist dhe beson se skuadra do të vijojë me këtë ritëm edhe në ndeshjet e tjera, duke nisur që nga ajo e fazës së dytë me Teutën. Ai u bë pjesë e Bylisit në janarin e shkuar, por tashmë është kthyer në një nga pikat e forta të skuadrës.

Në një intervistë që ka dhënë për “Panorama Sport”, Ymeralilaj, i cili ka luajtur edhe me kombëtaret e moshave, flet për aventurën e tij në Greqi dhe pse zgjodhi rikthimin e tij në shtëpi. “Tani e njoh ambientin dhe skuadrën më mirë. Jam përgatitur për Superioren. E di që është shumë ndryshe nga Kategoria e Parë. Jam aktivizuar në miqësore dhe në të gjitha ndeshjet e fazës së parë të Superiores. Normalisht që ambientimi do kohën e vet dhe nga ndeshja në ndeshje mendoj se kam ardhur në rritje.

Shpresoj të luaj sa më shumë në ndeshjet zyrtare. Unë do të bëj më të mirën, sepse Ballshi është shtëpia ime dhe do t’ua shpërblej besimin presidentit Kapllanaj dhe trajnerit Dovedan. Bylisi në Superiore ka bërë gjithmonë më të mirën e vet. Më ka folur edhe babai, se Bylisi në Superiore ka qenë në nivele të larta. Ka provuar që të luajë dy herë edhe në Europë, ndoshta e provojmë sërish. Jam këtu që të nderoj këtë fanellë, të cilën e mbaj veshur, madje të gjithë si ekip të bëjmë më të mirën së bashku, sepse mundësitë i kemi. Jemi një grup shumë i mirë lojtarësh dhe në verë kemi punuar shumë gjatë fazës përgatitore.

Ceils dhe Barjamaj? Më vjen mirë që në ekip ka rivalitet. Ka shumë lojtarë cilësorë, me eksperiencë dhe të rinj të talentuar. Mendoj se konkurrenca na bën mirë të gjithëve. Të gjithë djemtë që janë në ekip janë shumë të mirë dhe japin shpirtin në fushë. Kjo është “arma” jonë më e fortë. Unë e ndiej se kam shumë përgjegjësi dhe dua të bëj më të mirën. Trajneri dhe presidenti më vlerësojnë, kështu që unë dua të bëj në çdo ndeshje edhe më mirë”, deklaroi ai.

Erjon Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"