La Lirinë për Teutën, Gashi: Më bindi Shkëmbi, erdha për të kapur Europën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 14, 2018 | 21:01

La Lirinë për Teutën, Gashi: Më bindi Shkëmbi, erdha për të kapur Europën

Teuta ka bërë një goditje të zgjuar në merkato, duke afruar në skuadër një lojtar të perspektivës si Roni Gashi. Ai ishte një nga futbollistët më të talentuar të Lirisë së Prizrenit në edicionin e kaluar, ndërsa tërhoqi vëmendjen e disa klubeve kosovare dhe jashtë saj.

35299210_10156362302364462_6509094010206814208_n

Gjithsesi, ai vendosi të bashkohet me durrsakët, ku do të gjejë Bledi Shkëmbin, me të cilin punoi në Kosovë. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, ai shfaqet i kënaqur me zgjedhjen që ka bërë, teksa e pranon se trajneri luajti një rol të rëndësishëm në finalizimin e marrëveshjes.

Çfarë ju bindi që të zgjidhnit Teutën?

Më bindi projekti i klubit. Drejtuesit kanë ambicie të mëdha dhe ndaj vendosa të bashkohem me këtë ekip. Jam i lumtur që zgjodha Teutën, shpresoj të kemi një kampionat të mirë. Do të jap maksimumin për këtë fanellë.

A ishte e vështirë të largoheshit nga Liria?

Ishte e vështirë të lija Lirinë, pasi aty kam hedhur hapat e parë të karrierës. Gjithsesi jam i lumtur për zgjedhjen që kam bërë, ndërsa dua të falënderoj ish-klubin tim.

Sa ndikoi trajneri Shkëmbi për të pranuar propozimin e Teutës?

Te Teuta më bindi normalisht trajneri, i cili ka qenë pjesë e Lirisë në vitin e fundit. Kemi kaluar një vit të suksesshëm dhe dëshira e tij ishte të bashkoheshim sërish.

Cili është objektivi juaj në edicionin e ri?

Objektivi im është të luaj rregullisht dhe të shfaq më të mirën time. Jam në një moment që dua të tregoj veten. Shpresoj të ndihmoj klubin të kualifikohemi në Europa Ligë në edicionin tjetër.

Sa e njihni kampionatin shqiptar?

E njoh pak futbollin në Shqipëri, sepse te Liria kam biseduar me disa lojtarë që kanë luajtur më parë këtu. Është një kampionat i fortë me shumë rivalitet dhe shpresoj të bëjmë sa më mirë për të arritur objektivat sezonalë.

E shikoni ekipin e Teutës si një “trampolinë” për të ardhmen?

Patjetër, është një opsion mjaft i mirë për të treguar veten. Është një klub prestigjioz dhe unë do të tregoj më të mirën për t’u ngjitur sa më lart.

Me Avdylin luajtët te Liria, a do jetë më i lehtë për ju ambientimi?

Sigurisht edhe Florenti ishte një shtysë që të vija këtu, çdo fillim është i vështirë, por unë kam besim te vetja dhe trajneri. Ishte ai që më bindi dhe besoj do jap më të mirën. Me Avdylin kemi luajtur gjatë një viti së bashku dhe nuk do të jetë e vështirë.

Keni pasur oferta nga klube të tjera?

Po, kam pasur disa oferta të rëndësishme, mes tyre nga Drita dhe Feronikeli, por dëshira ime ishte të punoja me Bledi Shkëmbin dhe ndaj vendosa t’i bashkohem Teutës.

Drilon Xhepollari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"