“La Gazzetta Dello Sport” me speciale për Vrionin, xhevahirin e “Svarovski”-t, që Juventusi e ndjek nga larg

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2021 | 21:48

“La Gazzetta Dello Sport” me speciale për Vrionin, xhevahirin e “Svarovski”-t, që Juventusi e ndjek nga larg

Vrioni po rikthen vëmendjen te futbolli në qytetin e vogël austriak. Uatens është një qytet me 8 mijë banorë në rrethin e Tirolit dhe është më i famshëm për muzeun e kompanisë së kristaleve “Svarovski” sesa për futbollin. Por aty aktivizohet shqiptari Xhakomo Vrioni, i cili numëron edhe dy paraqitje me Kombëtaren e Edi Rejës, që po ringjall entuziazmin në qytet, ku është kthyer në një bombardues në sulm duke shënuar 7 gola në 11 ndeshje mes kampionatit dhe Kupës kombëtare. Gjithashtu, edhe tre gola në tri ndeshjet e fundit.

vrioni

“La Gazetta dello Sport” i ka kushtuar një shkrim shqiptarit ku tregon se ai po lë një impakt në Austri. Sulmuesi i lindur në ’98-ën, në pronësi të Juventusit, në verë mori një biletë vetëm vajtje për në Austri dhe nuk u pendua për këtë zgjedhje. Aty nisi një eksperiencë të re në futboll dhe në jetën jashtë fushës, si një djalë i mirë me ëndrrat dhe shpresat për të garuar në një kampionat të huaj. Xhakomo u përshtat shumë mirë me ambientin dhe skuadrën, sidomos edhe me trajnerin Silberger, i cili ka shumë eksperiencë në kampionatin austriak. Ai besoi menjëherë te djaloshi, duke e aktivizuar titullar dhe tani ai e falënderon duke shënuar, përfshirë edhe dy gola vendimtarë ndaj Austrisë së Vjenës dhe Laskut.

JUVENTUS – Ai debutoi mes profesionistëve me Venecian në vitin 2018 dhe me fanellën e Juventusit në Serinë A. Dy vjet më vonë kundër Romës kur në stol ishte Sarri. Bardhezinjtë e kanë mbajtur në zotërim kartonin e tij, duke e dërguar në huazim. Megjithatë, sytë janë gjithmonë tek ai, ata e studiojnë nga larg dhe e ndjekin ecurinë e djaloshit. “Vrioni për të pushtuar Austrinë, Svarovski Tirol udhëhiqet nga… një xhevahir italo-shqiptar”, shkruan “La Gazetta dello Sport”.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"